Dy muaj më parë Florent Muslija luante në kategorinë e tretë gjermane me skuadrën e Karlsruher, ku kishte siguruar një vend titullari edhe pse asokohe ishte vetëm 19-vjeç. Mosha e re dhe paraqitjet e mira sollën interesin e shumë ekipeve. Në ditën e fundit të merkatos së verës, arrihet marrëveshja për transferimin e 2-vjeçarit te Hanoveri për dy milionë euro.
Mesfushori e sheh veten të kalojë në një botë krejt tjetër nga ajo e Bundesligës së tretë. Konkurrenca në majën e futbollit gjerman është jashtëzakonisht e lartë dhe në ndeshjet e para, nuk grumbullohet as në stol.
Mundësia i erdhi një muaj pas transferimit. Trajneri Braitenraiter i jep shansin për të debutuar ndaj Frankurtit më 30 shtator. I riu me origjinë shqiptare e shfytëzon më së miri duke shënuar golin e nderit në humbjen 4-1 të Hanoverit.
Sot, ndaj Leverkuzenit iu dha shansi i dytë, duke provuar për herë të parë të qenit titullar në Bundesligë. Mbas 25-minutësh vjen goli i dytë dhe çfarë goli se. Një goditje dënimi nga më shumë se 30-metra, që mposhti finlandezin Hradeki dhe barazoi shifrat e takimit.
Në mesjavë ishte autori i një tjetër goli. Kësaj radhe ishte protagonist për Gjermaninë U20. Akoma nuk është e qartë se cila do të jetë zgjedhja përfundimtare e lojtarit, por interesi nga Kosova dhe Shqipëria nuk ka se si të mungojë për këtë yll në ngritje.