VIDEO | Gjermania mbetet “kantier”, barazim në shtëpi ndaj Serbisë

Gjermania nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi përballë Serbisë, në një ndeshje miqësore. Golit të Joviç në pjesën e parë i është përgjigjur Leon Gorecka në të dytën, me ekipin e Joakim Lëv që dominoi gjithçka në pjesën e dytë.

Ndeshja nisi mirë për miqtë, të cilët befasuan gjermanët, duke gjetur avantazhin në minutën e 12-të. Ishte i zakoshmi Luka Joviç, i cili në zhvillimin e një goditje nga këndi u gjet i lirë duke shënuar me kokë.

Gjermania e Joakim Lëv provoi të reagonte, me rastet që nuk munguan, por Verner arriti të ndalej nga portieri mik. Gjithashtu edhe Serbia pati një mundësi mjaft të mirë në minutën e 41-të me Adem Ljajiç, i cili gaboi i vetëm përballë Nojer. Kështu, pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1 në favor të Serbisë.

Në fraksionin e dytë, “pancerat” erdhën me një fytyrë tjetër, teksa aktivizimet e Rojs dhe Goreckës i dhanë një marsh tjetër. Ishte pikërisht kjo dyshe, që gatoi golin e barazimit në minutën e 69-të, me Leon Goreckën, që shrytëzoi mjaft mirë një pasim të Rojs, duke goditur në mënyrë perfekte për të çuar shifrat në 1-1.

Gjermanët provuan deri në fund të përmbysnin, por nuk ia arritën, me serbët që rezistuan deri në fund për të marrë një barazim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *