VIDEO: Fillim perfekt, Italia shkëlqen dhe zbulon “xhevahirin” e Juves

Pas “nxehjes” në Nations League, Italia e Roberto Mançinit i ka nisur në mënyrë perfekte kualifikueset e Euro 2020, duke fituar 2-0 ndeshjen hapëse kundër Finlandës. Gjithçka e thjeshtë, gol në fillim e gol sigurie pa pritur minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa në fushë zbriti një skuadër e re në moshë, sidomos nga mesfusha e lart, ku spikati goli i debutuesit Moise Ken, talenti i Juventusit, që pak nga pak po bën për vete Italinë.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për të besurit e Mançinit, që e gjetën golin pas vetëm 7 minutave lojë me anë të mesfushorit të Kaljarit, Nikolo Barela, i cili shkundi rrjetën me një predhë të vërtetë, edhe pse e ndihmoi një devijim i mbrojtjes finlandeze.

Vazhdimi ishte tablo e njëjtë, me Italinë nën kontroll, por pa u sforcuar për të shënuar sërish, ndaj Finlanda pati kohë të sqaronte idetë dhe të organizohej. Në fraksionin e dytë, Italia vijoi të luante më mirë dhe në minutën e 74-t ishte momenti i Moize Ken, i cili shënoi golin e tij të parë me kombëtaren në debutimin e tij si titullar.

Me fitoren e sotme, Italia merr kreun e grupit J, me pikë të barabarta me Bosnje-Hercegovinën, që mposhti pa probleme Armeninë 2-1.

Rade Kruniç në pjesën e parë dhe Deni Milosheviç 10 minuta para fundit siguruan suksesin boshnjak, ndërsa në fund Armenia shkurtoi me 11-metërsh, por nuk kishte më kohë.

KUALIFIKUESE EURO 2020

GRUPI J

Itali – Finlandë        2-0

Shënues: Barela 7′, Ken 74′

Bosnje-Hercegovinë – Armeni   2-1

Shënues: Kruniç 33′, Milosheviç 80′ / Mkitarjan 90’+3 (pen.)

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *