VIDEO: Festë kuqezi, Cikalleshi dhe Ramadani mposhtin Moldavinë

Edi Reja ka marrë fitoren e parë në krye të Shqipërisë. Kuqezinjtë tanë triumfuan në “Elbasan Arena” përballë Moldavisë me rezultatin 2-0. Kanë mjaftuar golat nga Sokol Cikalleshi dhe Ylber Ramadani që të marrim tri pikët e plota.

Ndeshja nisi shumë më mirë për Shqipërinë, që e dominoi të gjithë pjesën e parë. Hysaj dhe Sadiku kishin raste të mira, si dhe një penallti që nuk u akordua në favor tanëve. Pjesa e parë u mbyll pa gola.

Pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, me Shqipërinë që kërkoi në çdo sekondë golin. Edi Reja bëri zëvendësimet e duhura, duke aktivizuar Cikalleshin dhe Roshin. Ishin pikërisht këto dy futbollistë që kombinuan me njëri-tjetrin, duke shënuar golin e pare të sfidës.

Në minutat e fundit, Ramadani do të shënonte golin e dytë për kuqezinjtë tanë, pasi mposht portierin moldav me një goditje nga jashtë zone, duke hipotekuar fitoren e Shqipërisë.

EURO 2020, kualifikuese
“Elbasan Arena”, Elbasan

Shqipëri – Moldavi 2-0
Cikalleshi 66′, Ramadani 90+2′

Shqipëri: Berisha, Hysaj, Ismajli, Mavraj, Veseli, Lenjani (Roshi 58′), Ramadani, Kaçe (Qose 83′), Abrashi, Sadiku (Cikalleshi 58′, Uzuni. Trajner: Edi Reja

Moldavi: Koshele, Jardan (Graur 76′), Efros, Armash, Cebotaru, Carp, Antoniuc, Reabciuk, Suvorov (Cociuc 74′), Damashcan (Boiciuc 70′), Ginsari. Trajner: Aleksandru Spiridon

Kartonë të verdhë: Ramadani 90+3′ / Armash 56’, Karp 76′

EPISODET –

90+’ – Mbyllet sfida në “Elbasan Arena”, Shqipëria mposht pastër Moldavinë 2-0.

90+2’ – Goooool!! Shënojnë sërish kuqezinjtë tanë, kësaj radhe me anë të Ramadanit. Mesfushori bën gjithçka mirë dhe shënon një supergol, duke mbyllur historinë e takimit.

83’ – Reja kryen dhe zëvendësimin e fundit. Kaçe largohet nga fusha e blertë, në vend të tij Kristi Qose

79’ – Kërcënojnë moldavët, por tentativa e sulmuesit Ginsari me kokë shkon mbi tra

66’ – Goooool!! Shënon Shqipëria. Sokol Cikalleshi merr një pasim të shkëlqyer nga Odise Roshi dhe gjen rrjetën, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh. Zëvendësimet e Rejës janë të arta

58’ – Dy ndryshime nga Edi Reja. Sadiku i bën vend Cikalleshit, ndërsa Roshi aktivizohet në vend të Lenjanit

53’ – Një aksion i gjatë i Shqipërisë përfundon te këmbët e Sadikut në hyrje të zonës, por gjuajtja e numrit 10 bllokohet

46’ – Fillon pjesa e dytë, Shqipëria në kërkim të golit

45’ – Mbyllet pjesa e parë në “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë tanë dominuan gjithë fraksionin e parë të lojës, por goli mungoi.

31’ – Shqipëria pretendon për penallti. Gjuajtja e Armando Sadikut me kokë ndalet nga mbrojtësi moldav me dorë, por gjyqtari nuk akordon penallti. Rast i dyshimtë

23’ – Armando Sadiku godet befasishëm nga jashtë zone dhe topi po i drejtohej cepit të portës. Portieri moldav arrin të grushtojë, duke i mohuar golin kuqezinjve tanë

9’ – Shans ideal për Elseid Hysaj. Mbrojtësi gjen mirë hapësirë brenda zonës dhe mundohet të shënojë nga një krosim i Lenjanit, por tregohet i pasaktë.

3’ – Mundësi e mirë për kuqezinjtë tanë. Hysaj del i lirë nga e djathta dhe kroson në qendër, aty ku kërcen Uzuni, por tentativa e sulmuesit me kokë shkon mbi tra

1’ – Fillon takimi në “Elbasan Arena”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *