Torino-Juventus ishte një ndeshje derbi, që nuk kaloi pa incidente. Përpara fillimit të ndeshjes pati një përplasje dhe sherr të fortë midis dy grupimeve të tifozëve, ndërsa polemika pati dhe në fushën e blertë.
Torino protestoi për mungesën e një penalltie të pastër, ndërsa Kristiano Ronaldo i dha fitoren Juventusit nga pika e penalltisë. Një episod interesant ka ndodhur përpara fillimit të ndeshjes.
Është bërë zakon të shohim tifozët e njërës palë të sulmojnë autobusin e ekipit tjetër. Tifozët e Torinos kanë parë autobusin e Juves dhe janë turrur ta sulmojnë. Ofendime në kor dhe sharje pafund, por… stop!
Autobusi nuk ishte i Juventusit, por i Torinos. Tifozët nuk kishin dalluar gjë. Urrejtja kthehet menjëherë në dashuri dhe tifozët nisin koret e tyre për ekipin e zemrës. Pak ilaritet mes tifozëve granata, ndërsa për pak ishin gati për të “shpërthyer” ndaj… autobusit të gabuar.