Është mbyllur sfida e parë që ka ngritur siparin e javës së 11-të të kampionatit spanjoll. Atletiko e Madridit nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim në transfertë ndaj Leganes. Supergolit të Antuan Grizman, iu përgjigj Karrijo për vendasit vetëm tetë minuta përpara fundit.
Një sfidë, ku Atletiko hasi shumë vështirësi, sidomos në pjesën e parë, teksa vendasit patën disa rastë të pastra për të shënuar, por u treguan të pasaktë në tentativat e tyre. Skuadrat shkuan në pushim me rrjeta të paprekura, ndërsa pjesa e dytë ishte diçka tjetër.
“Los colchoneros” erdhën në fraksionin e dytë me një ritëm tjetër dhe u shpërblyen në minutën e 69-të, ku Antuan Grizman dhuroi një nga perlat e tij. Supergol nga goditja e dënimit dhe festa ishte e gjitha për madrilenët. Gjithsesi festën e madrilenëve mendoi ta prishte Guido Karrijo, i cili erdhi në fushë në minutën e 72-të dhe pas 10 minutash shënoi.
Në zhvillimet e një goditje dënimi ishte Rodrigo Tarin, i cili goditi traversën dhe nga topi i kthyer përfitoi argjentinasi Karrijo, i cili vuri përsëri baraspeshat. Kështu, Atletiko humbet mundësinë e artë që të merrte kreun përkohësisht dhe bën një hap fals. Ndërkohë, Leganes pasi fitoi ndaj Barçës në shtëpi, ndal dhe një tjetër ekip të madh si Atletiko.