Atalanta e Berishës e Gjimshitit rikthehet te fitorja në Serie A, teksa ka triumfuar me shifrat 3-1 ndaj Fiorentinës në shtëpi. Tashmë, ekipi i Gasperinit e sheh veten në vendin e shtatë në kuotën e 41 pikëve, gjashtë më pak se Interi i vendit të katërt.
Sfida nisi keq për vendasit, teksa kur kishin kaluar tre minuta lojë, Muriel përfitoi nga gabimi i De Run dhe pasi shmangu Gjimshitin shënoi golin e parë të ndeshjes.
Gjithsesi, ekipi nga Bergamo arriti të reagonte në minutën e 28-të me anë të Josip Iliçiç duke vënë baraspeshën. Slloveni përfitoi nga përgjumja e Fiorentinës në mbrojtje duke nisur me shpejtësi një goditje dënimi dhe me një goditje me të djathtën mposhti Lafont.
Gjashtë minuta më vonë ishte përsëri Atalanta, e cila përmbysi gjithçka. Një aksion individual i Alehandro Gomez u finalizua në mënyrë perfekte nga po vetë argjentinasi, duke çuar shifrat në 2-1.
Në pjesën e dytë, Atalanta nuk e uli presionin dhe në minutën e 58-të shënoi dhe golin e qetësisë me autori Robin Gusens, i cili përfitoi nga një krosim i Kastanjes për të çuar topin në rrjetë me kokë. Deri në fund, Atalanta administroi mirë avantazhin, duke mbyllur gjithçka në 3-1.
Atalanta 3-1 Fiorentina
Shënues: Iliçiç 28′, Gomez 34′, Gusens 58′ / Muriel 3′