Shime Vërsaljko merkaton e kësaj vere la Atletikon e Madridit për t’u rikthyer në Itali, tek Inter. Kroati, i cili dikur është aktivizuar për Sasuolon, spikati në Botërorin e Rusisë, ku dhuroi paraqitje fantastike me Kroacinë e tij. Fillimin e këtij sezoni nuk e pati siç duhet si pasojë edhe e dëmtimeve, por tani duket krejtësisht i rikthyer dhe ka qenë titullar për 90 minuta në të dyja sfidat e fundit në Serinë A.
26-vjeçari numëron katër sfida si titullar këtë sezon me zikaltrit. Vërsaljko ka folur ditën e sotme për mediat italiane në lidhje me situatën aktuale të Interit dhe është shprehur ambicioz për objektivat e Interit. Sipas kroatit zikaltrit kanë mundësi dhe për titullin, pasi kampionati është totalisht i hapur dhe Interi ka treguar një formë të mirë.
“Kampionati është totalisht i hapur dhe kemi mundësitë tona. E nisëm keq, por tani kemi rikuperuar dhe po ecim mirë. Gjithsesi duhet të përmirësohemi, jemi me të vërtetë një ekip i fortë dhe mund të shkojmë larg. Është një sezon i gjatë dhe ne do t’i marrim ndeshjet një e nga një për të parë se si do të shkojë deri në fund. Shpresoj që të paktën të jemi në Champions përsëri sezonin që vjen dhe mendimi im është se do të përfundojmë në treshen e parë”.
“Jam shumë i lumtur që u bëra pjesë e Interit dhe jam një futbollist i këtij ekipi. Gjithashtu dhe që ndodhem në Itali dhe me shokët e skuadrës i kam marrëdhëniet mjaft të mira. Po përmirësohemi çdo ditë, sidomos në duelet një kundër një. Po luajmë mirë dhe do të mundohemi të fitojmë çdo ndeshje që kemi. Në Champions na duhet të mbarojmë punë me kalimin e grupit si fillim, më pas të shohim”, përfundoi kroati.