Marko Verrati ka lënë pas problemet fizike dhe u rikthye në fitoren 4-0 përballë Sant Etienit. Mesfushori italian bëri një ndeshje pozitive, ku veçohet asisti fantastik për Draksler në golin e parë të fitores. Verrati flet për formën e tij, përballjen e mesjavës në Champions me Liverpulin, kundërshtarët e tjerë të grupit dhe kombëtaren italiane.
Forma dhe përballja me Liverpulin – “Shpresoj t’i kem lënë pas të gjitha problemet, jam i lumtur me ndeshjen dhe fitoren përballë Sant Etienit, që do të na shërbejë shumë para ndeshjes me Liverpulin. Vijmë prej gjashtë fitoresh rresht dhe ndihemi plot besim. Liverpul është një skuadër që luan më shumë intensitet, në një stadium të madh. Do të jetë e vështirë, por mund të bëjmë një ndeshje të madhe.”
Grupi i Champions – “Napoli është njësoj si Liverpuli. Në fushën e tyre luajnë me intensitet të lartë dhe me Ançelotin kanë më shumë eksperiencë dhe qetësinë e nevojshme, që vetëm ai trajner ta transmeton. Janë dy kundërshtarë të vështirë, do të luajmë ndeshje të rëndësishme në stadiume të mëdha, por nuk do të jetë e thjeshtë as ndeshja në fushën e Cërvena Zvezdës. Është hera e parë që jemi në një grup me tre skuadra të forta, por nëse kalojmë, do të dalim me më shumë besim.”
Italia – “Kam folur me Mançinin dhe e vendosëm që të mos luaja në këto ndeshje. Doja të isha në 100%, por nuk isha. Në tetor do të jem gati për kombëtaren. Po kalojmë një moment të vështirë, duhet të punojmë dhe të tentojmë të fitojmë ndonjë ndeshje për të rritur besimin dhe për të punuar më të qetë.”