Holanda e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin e saj në eleminatoret e Euro 2020, teksa një natë më parë shkatërruan me shifrat 4-0 Bjellorusinë. Si gjithmonë, në qendrën e mbrojtjes luajtën përkrah njëri-tjetrit Van Dijk dhe De Ligt.
Padyshim mund të thuhet pa frikë se mund të jetë dyshja më e mirë e qendrës së mbrojtjes për momentin, me Van Dijk që është konfirmuar një lider dhe te Liverpuli, ndërsa De Ligt gjithashtu që kërkohet nga klubet më të mëdha të Evropës.
Pas ndeshjes, ishte pikërisht Van Dijk, i cili foli për mediat, duke komentuar shokun e tij të repartit, për të cilin duket se ka vetëm elozhe. “Është padyshim një mbrojtës i shkëlqyer, kjo gjë duket qartë. Mund të përmirësohet akoma më shumë dhe ai e kupton këtë gjë. Të luash në moshën e tij në atë mënyrë është diçka fantastike dhe jam shumë i lumtur që e kam në krah”, përfundoi mbrojtësi i Liverpulit.