E ardhmja e Ivan Rakitiç është kthyer në një telenovelë. Të mirin të gjithë e duan dhe kroati është një objektiv i PSG-së. Deri më tani akoma Barcelona nuk ka marrë një ofertë zyrtare. Klauzola për largimin e nënkampionit të botës është 125 milionë euro.
Sikurse është bërë me dije në shtypin spanjoll, konkretisht nga gazeta “Sport”, francezët janë gati të ofrojnë 90 milionë euro për shërbimet e Rakitiç. Kroatit nga ana tjetër mund t’i dyfishohet paga. Në këto kushte transferimi i mesfushorit te PSG është një realitet i mundshëm.
Nga ana tjetër, trajneri Ernesto Valverde është i qartë, teksa thekson se e shikon Rakitiç pjesë të ekipit edhe këtë sezon. Dhe në fakt mesfushori është i lumtur te Barcelona. Ana financiare është e vetmja që mund t’u prishë mendjen palëve, pasi edhe katalanasit e kanë të vështirë t’i thonë jo 90 milionë eurove për një 30-vjeçar, të cilit i kanë mbetur edhe dy vite kontratë.
“Unë jam trajner dhe dua lojtarë më të mirë. Rakitiç është një prej tyre dhe është i përfshirë me ekipin dhe klubin. Nuk jemi këtu për të bërë biznes për një lojtar, por për të fituar ndeshje”, është shprehur Valverde, që ka theksuar se Rakitiç është shumë i rëndësishëm për ekipin e tij.
“Ivan është thelbësor për ekipin tonë dhe unë bëj planet me të. Numrat e tij janë këtu dhe të gjithë e dimë rëndësinë që ka për ekipin. E kuptoj që mund të ketë lojtarë nga ekipe të tjera që mund ta rregullojnë këtë, por ne e kemi Rakitiç dhe shpresoj që pa asnjë dyshim ai të qëndrojë”, u shpreh trajneri i Barcelonës gjatë konferencës për shtyp.