“Kush është ai lojtari me numër 9?”, kjo ishte një nga pyetjet e bëra në tribunën e stadiumit “Elbasan Arena”. Ylber Ramadani, edhe pse është një mesfushor me tipare mbrojtëse, mbante numrin e një goleadori. Dhe në fund shënoi, gjë që nuk i ndodh zakonisht. Festa ishte e shfrenuar, teksa hoqi edhe fanellën.
Direkt pas ndeshjes ai ka folur i emocionuar dhe dedikimet për golin e shënuar nuk munguan: “Nuk e gjuajta fanellën, ishte gëzim për mua. Ta fillosh me gol në kualifikuese për mua është ndjenjë e veçantë. Golin ia dedikoj familjes time, gjithë stafit, fansave dhe gjithë atyre që ishin prezent në stadium”.
NUMRI I ÇUDITSHËM – Ramadani e pranon vetë, numri 9 e ka befasuar. Magazinieri, Tosi, sa duket e ka ndjerë se mesfushori do shënonte. “(Qesh) U çudita kur e pashë, besoj se Memushaj më solli fat. Ma dhanë këtë numër, sa duket e kishin menduar që do shënoja (qesh)”, shprehet Ramadani me buzën në gaz.
PARTIZANI – Gjatë kësaj periudhe është përfolur shumë për një kalim të mesfushorit te Partizani. Ramadani, pas ndeshjes pranoi se kishte pasur bisedime dhe tregon se ka edhe dy vite kontratë me danezët e Vejle BK. Kështu transferimi nuk është krejtësisht në dorën e tij, edhe pse një rikthim te Partizani ai nuk do ta konsideronte një hap prapa.
“Flet menaxheri im
për këto gjëra, nuk i diskutoj unë. Nuk ka pasur gjëra konkrete. Kanë biseduar me menaxherin tim dhe thjesht kanë qenë biseda. Nuk do ishte një hap prapa kthimi në Shqipëri, sepse Partizani luan në Champions League. Besoj se do të qëndroj në Danimarkë, por edhe mund të lëvizim. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Kam edhe dy vite kontratë te Vejle BK”, përfundoi Ramadani.
VLADIMIR PRENGA