Tomas Tuhel mori komplimentet e të gjithëve pas fitores 2 – 0 në “Old Trafford”, ndeshja e kthimit në Paris pritej të ishte akoma më e thjeshtë për t’u menaxhuar, sidomos për faktin se Junajtid vinte i sakatuar me 10 mungesa të rëndësishme.
Megjithatë, fusha e lojës dha një verdikt tjetër. Të zotët e shtëpisë dominuan me rastet e krijuara, por në futboll rëndësi kanë golat dhe Junajtid arriti të shënonte ato. Në përfundim të takimit tekniku gjerman e konsideroi të çmendur rezultatin e ndeshjes.
“E kam të lehtë t’ua shpjegoj çfarë ndodhi. U bëmë dy dhurata në pjesën e parë. E kontrolluam totalisht lojën në 30 minutat e para. Bëmë lojë shumë cilësore dhe treguam mentalitetin e duhur. Reaguam mirë pasi i dhuruam golin e parë. Ndërsa pas disa minutash papritur ata shënojnë golin e dytë. Jam i sigurt se çdokush po vriste mendjen: “Si është e mundur që kanë shënuar dy herë kur nuk po sulmojnë fare?”. E kontrolluam krejtësisht lojën ky rezultat është i çmendur.
“Gjatë pjesës së dytë Junajtid nuk pati qoftë dhe një shans të vetëm. Në asnjë moment nuk mu duk se Junajtid kishte ardhur këtu për të fituar, por në fund ia dolën dhe i përgëzoj. Nuk e di nëse sezoni jonë është një dështim. Tani duhet të mbroj lojtarët e mi”.
PENALLTIA – “Unë jam pro VAR-it, por në penalltitë me dorë ka shumë faktorë në mes. Për shembull gjuajta e Dalot po shkonte 50 metra mbi portën, nuk e kuptoj pse duhet të jepen këto lloj penalltish. Është diçka 50 me 50, varet dhe nga pozicioni i dorës nëse është natyral ose jo, distanca, forca e goditjes ose jo. Rregulli i penalltive nuk është shumë i saktë”, tha Tuhel.