Prej kohësh po flitet për një takim midis presidentit Anjeli dhe trajnerit Alegri. Tema e diskutimeve do të jetë e ardhmja e Juventusit dhe merkato që duhet bërë. Megjithatë, ky takim mesa duket nuk do të zhvillohet kurrë.
Sipas mediave italiane, drejtuesit e “Zonjës” e kanë ndarë mendjen për të mbyllur ciklin me trajnerin livornez dhe gjithçka do të bëhet zyrtare gjatë ditës së sotme. Maks Alegri fitoi 5 tituj në po kaq sezone në Torino dhe arriti të dërgojë ekipin dy herë në finalen e Champions Ligës.
Diçka e tillë nuk mjafton dhe marrëveshja mes palëve nuk do të zgjasë. Emri që i ka detyruar drejtuesit bardhezi të marrin këtë vendim quhet Antonio Konte. Ish-mesfushori pritet të rikthehet në stol.
Konte e ka drejtuar Juventusin gjatë sezoneve 2011/2014, aty ku fitoi 3 tituj kampion dhe 2 Superkupa Italie. Pavel Nedved ka qenë zëri më i fortë pro-rikthimit të ish-trajnerit të Çelsit, ndërsa Alegri mund të marrë drejtimin e Interit ose të largohet nga Serie A.