Tre emra të rinj te Shpresat, Bushi: Doja të futesha vetë në fushë!

Shqipëria U21 barazoi një ditë më parë me Turqinë dhe pas ndeshjes ka folur edhe trajneri Alban Bushi. Kreu i pankinës kuqezi ka analizuar takimin dhe thekson se në sfida të tilla gabimet duhet të jenë sa më të pakta. Goli i dytë i Turqisë ishte një dhuratë nga futbollistët kuqezi.

“E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë dhe e luftuar nga kundërshtari për ta fituar atë. Patëm kohë për ta përgatitur ndeshjen dhe kjo ishte diçka pozitive për ne. Menduam të vendoseshim mirë mbrapa dhe të prisnim shanset tona, që nuk ishin të pakta. Fillimin e pjesës së parë kishim vështirësi kur kishim topin në kontroll, e dorëzonim shumë  shpejt. Kjo na vuri në vështirësi, sepse vraponim më shumë dhe humbnim shumë energji.

Pjesa e dyte ishte ndryshe u futëm në lojën tonë dhe krijuam rastet për shënim dhe golat. Me pak kujdes mund ta fitonim ndeshjen, por edhe ta humbnim. Në këto nivele duhet të jesh shumë i kujdesshëm, të gabosh më pak se kundërshtari dhe të luftosh më shumë se ai. Ne luftuam dhe vrapuam më shumë se ata, nuk donim ta humbnim këtë ndeshje. Kemi pësuar 6 gola gjithsej në 3 ndeshje dhe të 6 golat janë gabime individuale, të vjen keq”, është shprehur Bushi për FSHF.org.

Më tej ai shtoi: “Secili duhet të përmirësohet, janë të vegjël dhe kanë potencial për kombëtaren A. Gjithsesi gabime të tilla nuk duhen bërë, ose të bëjmë sa më pak. Dua të falënderoj të gjithë skuadrën për atë çka dha në fushë për 94 minuta. Ata bënë të pamundurën, vrapuan dhe luftuan me zemër të madhe. Ata kishin grintë, dëshirë, kishin besim tek ajo që po bënin, luajtën me personalitet kundra një kundërshtari me shumë cilësi dhe kualitet. Më vinte shume keq kur i shikoja që luftonin ashtu, saqë doja të futesha në fushë dhe t’i ndihmoja. Por Zoti i shpërbleu në fund për djersën që derdhën. Duhet të vazhdojmë kështu, se futbolli është vazhdimësi dhe këta djem i kanë të gjitha mundësitë për të bërë gjëra të mëdha”.

RISITË NË LISTË – Shqipëria U21 ka në plan dy miqësore me Uellsin, fillimisht në “Selman Stërmasi” më 9 qershor dhe dy ditë më pas në “Niko Dovana”. Trajneri Alban Bushi ka vendosur të afrojë në skuadër edhe tre lojtarë të tjerë: Armando Broja (sulmues, Çelsi), Elion Sota (mbrojtës i djathtë) dhe Redon Mihana (sulmues), këta të fundit nga Apolonia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *