Redon Xhixha ishte shumë afër shënimit të një goli fantastik në përballjen e javës së kaluar ndaj Hapoel Ber Shevës, por traversa i mohoi festën futbollistit kurbinas. Në një intervistë për “RTSH Sport”, 20-vjeçari shpjegon emocionet e atij momenti.
“Po përjetoja një emocion i papërshkueshëm, por nuk ishte e thënë ta bëjë atë mrekulli. Ndodhesha i vetëm në atë moment dhe pashë që portieri kishte dalë pak nga porta. E provova, por një prekje e lehtë e portierit çoi topin në traversë. Pas ndeshjes më kanë bërë komplimente familjarët dhe drejtuesit. Po ta kisha shënuar atë gol jam i bindur se do të kishim fituar atë ndeshje. Gjithashtu do të ishte dhe një vlerë e shtuar për mua si futbollist”.
“Bëmë një ndeshje të mirë këtu. Atje do ta kemi shumë të vështirë, por mendoj se mund t’ia dalim”, përfundoi Xhixha.