Në muajin qershor të këtij viti, Laçi vuri në krye të skuadrës trajnerin Besnik Prenga, i cili më parë ka qenë trajner i moshave të Lokomotivës së Zagrebit. Tekniku qëndroi vetëm për periudhën e Europa Ligës, teksa arriti sukses me kalimin e një turi, ku eliminoi Anorthosis Famagustës. Gjithsesi, më pas u eliminua nga gjigantët norvegjez të Moldes.
Pikërisht ish-tekniku i Laçit ka zbuluar për mediat kroate transferimin e Myrto Uzunit në Kroaci. Prenga ka deklaruar se është mahnitur nga aftësitë e beratasit që në ditën e dytë që e ka parë te Laçi. Gjithashtu 49-vjeçari ka shtuar se Myrto është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm.
ZBULIMI – “Në qershor, presidenti i Laçit, miku im Pashk Laska, më kërkoi që të udhëhiqja ekipin e tij në kualifikueset e Europa Ligë dhe në të njëjtën kohë të bëjë një përzgjedhje në ekip për këtë sezon. Në marrëveshje me Lokomotivën unë shkova atje dhe mu deshën vetëm dy ditë stërvitje për të vënë re Uzunin. Nuk mund ta besoja se një lojtar i tillë i talentuar ende luante në kampionatin shqiptar, sepse ëndrra e lojtarëve shqiptarë është që të aktivizohen jashtë vendit.”
TRANSFERIMI – “E telefonova menjëherë Shikiç (drejtori sportiv i Lokomotivës) dhe i thashë se e kam gjetur lojtarin që do të jetë përforcimi i duhur për Lokomotivën. Nuk ishte e lehtë për ta marrë, pasi për të bindur presidentin e Laçit ishte e vështirë. Ai ishte në dijeni për diamantin që kishte në dhomat e zhveshjes, ndërkohë për të interesohej dhe Hajduk Spliti dhe Osijek. Ne ishim më të shpejtë dhe më konkretë. Gjithashtu unë i shpjegova Uzunit, se te Lokomotiva do të kishte përparësi, pasi të rinjtë përkrahen shumë në ekipin tonë. Më pas ramë dakord dhe me presidentin, Pashk Laska, dhe tashmë Uzuni është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit. Jam i lumtur për të, sepse është pritur mirë në ekip dhe po bën paraqitje mjaft të mira. Jam i sigurt që do të shkojë larg, pasi ka një potencial të pabesueshëm. Është tërësisht i dedikuar në punën që bën dhe nuk i intereson asgjë tjetër përveç futbollit.”
FJALËT E SOLSKJAER – “Humbëm ndeshjen e parë 2-1 në transfertë në Qipro, ndaj Anorthosis. Ndeshja e kthimit në Laç, u kualifikuam me golin e Uzunit në fund. Më pas në raundin tjetër luanim ndaj Moldes, që kanë si trajner një legjendë si Solskjaer, i cili pas ndeshjes më tha: “Lojtari yt me numër 10, mund të luajë në çdo klub!”.