Merkato e janarit është në prag dhe Premier Liga është një ndër kampionatet ku shpenzohen shumat më të mëdha për blerjen e lojtarëve. Gjithsesi, jo gjithmonë është e thënë që në rast se është shpenzuar shumë, ai lojtar do të ketë sukses. Më poshtë iu kemi sjellë një listë të dhjetë lojtarëve për të cilët janë paguar më pak se 10 milionë sterlina dhe kanë rezultuar si blerje të suksesshme.
Po e nisim nga më i shtrenjti. Çmimi që u ble nga Liverpuli do ju duket absurd, pasi u shit për 19-fishin e kësaj shume disa vite më vonë. Filipe Kutinjo u transferua nga Interi në Liverpul, për shumën e 8.5 milionë sterlinave. Vazhdimin e karrierës në “Anfield” për brazilianin, besoj të gjithë e njohin tashmë.
Pas Kutinjos, vjen një mbrojtës, i cili përsëri është transferuar te Liverpuli. Andi Robertson ka mahnitur me paraqitjet e tij në krahun e majtë të mbrojtjes, duke e bërë çmimin që u pagua për të, të papërfillshëm tashmë. 8 milionë sterlina u shpenzuan për të, për ta shkëputur nga Hall Siti.
Podiumin e “më të shtrenjtëve” e plotëson Idrisa Gueje. Senegalezi spikati me Aston Vilën, ku u ble nga Everton për shumën e 7.1 milionë sterlinave. Tashmë, mesfushori kushton të paktën 4-fishin e asaj shume.
Sezar Azpilikueta u ble në vitin 2012 nga Çelsi, i cili derdhi në arkat e Marsejës 6.5 milionë sterlina. Gati shtatë vite më vonë, spanjolli është një shtyllat e bluve, madje dhe me shiritin e kapitenit në krah disa herë.
Ngolo Kante u ble nga ekipi i Leister Sitit për 5.6 milionë sterlina nga ekipi i Kaenit. Vijimin e historisë e dini…Fitimi i Premier Ligës me Leisterin, futbollisti i vitit 2017 në Francë, si dhe transferim te Çelsi për 36 milionë euro. Jo keq, për një lojtar që u ble për vetëm 5.6 milionë sterlina.
Totenhemi mori një talent në vitin 2015, për të cilin pagoi 5 milionë sterlina. Brenda pak kohësh Dele Ali, është kthyer në një nga pikat kyçe të “gjelave” të Londrës dhe kombëtares angleze.
Përsëri është Totenhemi në listë. Kiran Tripier është një ndër mbrojtësit anësorë më të mirë në qarkullim tashmë. Anglezi u ble nga “gjelat” për vetëm 3.5 milionë sterlina nga ekipi i Bërnlejt.
Xhon Stons njihet si një ndër mbrojtësit më të shtrenjtë të historisë në Angli, teksa u ble për plot 56 milionë euro nga ekipi i Mançester Sitit. Por nuk është ky transferimi që futet në listë, por kalimi i mbrojtësit nga Barnslej në drejtim të Evertonit për vetëm 3 milionë sterlina. Fitimi i Evertonit…”vetëm 18-fishi” i çmimit që e bleu…
Xhoshua King është një ndër sulmuesit më të spikatur të Premier Ligës këtë sezon, ku me fanellën e Bornmuth ka bërë mjaft mirë. Norvegjezi ka qenë dikur pjesë e Junajtid, ndërsa më pas ka luajtur me Blekbërn Rovers, ku u pikas nga Bornmuth, të cilët e blenë për 1 milion sterlina. Tashmë, Junajtid kërkon ta rikthejë dhe oferta e parë është përgatitur të paktën 25 milionë sterlina.
E mbyll listën Xhejms Milner. “Plakushi” u pa si i padobishëm nga Mançester Siti dhe u largua, duke e lënë si lojtar të lirë. Gjithsesi, Liverpuli besoi tek ai dhe frytet Milner i ka dhënë, duke qenë një ndër mesfushorët më të mirë në Premier Ligë sezonet e fundit.