Gara për fitimin e “Topit të Artë” në këtë sezon është ndryshe nga vitet e tjera. Fitues nuk do të shpallet Leo Mesi, por as Kristiano Ronaldo. Një vit pushim për dyshen fantastike, të cilët kanë fituar 10-të çmimet e fundit të trofeut prestigjioz individual.
Votimet janë mbyllur, fitues do të shpallet njëri midis: Luka Modriç, Kilian Mbape dhe Rafael Varan. Tashmë mbetet vetëm shpallja e fituesit, ndërsa Diego Simeone ka dhënë mendimin e tij për çmimin në fjalë.
Nuk ka shanse të ndodhë, por trajneri argjentinas zgjedh Antuan Grizman si lojtarin e duhur për ta fituar “Topin e Artë”. Të dy punojnë bashkë të Atletiko e Madridit, Simeone e njeh shumë mirë dhe e arsyeton mendimin e tij se pse Grizman e meriton këtë çmim, më shumë se çdo futbollist tjetër.
“Nga pikëpamja e përgjithshme mund të themi që Leo Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë futbollistët më të mirë në botë. Por, jo në vitin 2018. Këtë herë është Antuan (Grizman), i cili ka qenë para të gjithëve. Në këtë vit, askush në botë nuk ka bërë kaq gjëra të rëndësishme për skuadrën e tij si Grizman, si për Francën dhe për Atletikon. Ky është realiteti. Kur një futbollist siguron që gjithë skuadra mund të funksionojë, duke u bazuar në trurin e tij, ka një vlerë të pallogaritshme.”
“Franca luan falë inteligjencës së Grizman. Kur ai është i kthjellët dhe në formë të mirë fizike, nuk ka asnjë tjetër lojtar në botë kupton dhe interpreton futbollin si ai. Nëse shohim dhe trofetë e fituar si: Kupa e Botës, Europa League dhe Superkupa e Europës, askush nuk ka bërë aq shumë për skuadrën e tij, sesa Antuan Grizman”, përfundon trajneri i Atletikos së Madridit për “France Football”.