Ndeshja mes Flamurtarit dhe Kastriotit mbylli javën e 24-t në Superiore, javë e cila filloi me derbin e kryeqytetit, Tirana-Partizani, sfidë që u mbyll e barabartë 0-0.
Të shtunën, Kukësi mposhti pastër 3-0 Luftëtarin, ndërsa Teuta dhe Skënderbeu u ndanë në barazim 2-2, me durrsakët që nuk arritën të ruanin avantazhin prej dy golave.
Edhe të dielën, u luajtën dy sfida. Kamza-Laçi ishte sfida më e përfolur, për shkak të skandalit që ndodhi pas përfundimit të ndeshjes, ku u sulmua gjyqtari kryesor, Eldorian Hamitaj. Kjo ndeshje u mbyll në barazim 1-1, njëjtë si sfida e fundit mes Flamurtarit dhe Kastriotit.
Pas këtyre rezultateve, renditja nuk ka ndryshuar shumë sa i takon pozitave, por diferencat mes skuadrave janë ngushtuar. Kukësi ka ulur në 6 pikë diferencën me kryesuesit e Partizanit, ndërsa Teuta mbetet e treta me 40 pikë, katër më pak se Kukësi.
Laçi është në vend të katërt me 36 pikë, ndërsa Skënderbeu dhe Flamurtari ndajnë vendin e pestë dhe të gjashtë me nga 34 pikë. Tirana është në vend të shtatë me 29 pikë dhe deri tani, duket e qetë sa i takon luftës së ashpër për mbijetesë.
Pas humbjes kundër Kukësit, Luftëtari mbetet në kuotën e 25 pikëve dhe Kastrioti i afrohet dhe më shumë. Skuadra krutane ka 21 pikë tashmë dhe është vënë në ndjekje të skuadrës gjirokastrite. Ndërsa në vend të fundit, vazhdon të mbetet Kamza, me vetëm 17 pikë.
Renditja e Superiores pas javës 24