Impianti do të jepet me qira për 4 milionë të vjetër, plus 1 milion nëse luhet me drita
Olsi Avdiaj
Tirana i bën një tjetër nder Partizanit. Të kuqtë do ta luajnë kampionatin e 79-të Kombëtar në “Selman Stërmasi”. Marrëveshja është firmosur dje nga palët dhe është zyrtare, madje e depozituar edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit. Gjithsesi, palët kanë rënë dakord që të kuqtë të luajnë për një sezon. Partizani do të paguajë 4 milionë lekë ndeshja pa drita. Nëse takimet do të luhen me drita, do të paguhen nga të kuqtë pesë milionë lekë, ose 1 milion lekë të vjetër më shumë.
Ajo që nuk dihet është fakti se bardheblutë paguhen në dorë nga Partizani dhe kjo është një marrëveshje xhentëlmenësh mes palëve dhe ndërmjetësit Erion Veliaj, edhe pse këto para nuk konsiderohen shpenzime të zbritshme. Por kjo është njëra anë e medaljes. Tani pritet reagimi i bardhebluve. Tifozët e Tiranës, “Fanatics” dhe të tjerët, ka kohë që janë të zhgënjyer nga Tirana. Prej shkurtit ata nuk janë më në stadium (përjashtim bëri vetëm finalja e Kupës). Përkrahësit e Tiranës e kanë vendosur dhe nuk ka më kthim pas. Bojkot derisa të largohet presidenti! Një kërkesë “shumë e madhe”, duke pasur parasysh se presidenti Refik Halili, nuk mund të largohet apo të braktisë skuadrën, paçka kërkesës së tifozëve. Në fakt, “furtuna”, presidencë-lojtarë “shpërtheu” pas lajmit se Partizani do të luante në “Selman Stërmasi” në mes të janarit, diçka e patolerueshme për tifozët, por pamundësia për t’u konfrontuar me drejtuesit bëri solli një konfrontim fizik me lojtarët dhe bojkotin e kampionatit. “Shënjestra” e kritikave ka kohë që është pikërisht presidenti Refik Halili, i cili sipas tifozëve erdhi në drejtimin e Tiranës pas protestës së tifozëve para Bashkisë, por më pas nuk ka bërë asgjë nga ato që pritej e premtonte, ndërsa tani i vë kapaku, duke i hapur rrugë Partizanit, i cili luajti në “shtëpinë” bardheblu.
Mbështetësit e Tiranës, ndërmorën veprimin, drastik këtë herë dhe me një kusht tejet të paarritshëm, pasi kanë bojkotuar skuadrën, gjithë sezonin. Tifozët bardheblu presin suksese dhe titullin që mungon prej vitesh dhe ende ata nuk janë pajtuar me klubin. Kjo u pa edhe në ndeshjen e Europës. Se çfarë do të ndodhë më tej, pritet për t’u zbuluar…