Pollozhani flet si vlonjat: Më shihni në fushë, do ta ndihmoj Flamurtarin

0

Mesfushori kalon nga kuqezinjtë e Tetovës tek ata të Vlorës: Më kërkoi Duro, detyrim edhe më i madh për të dhënë maksimumin

Intervistoi: Vladimir Prenga

Artim Pollozhani pritet të jetë sot në Vlorë dhe të nënshkruajë kontratën që e lidh atë me Flamurtarin. Ish-lojtari i Shkëndijës së Tetovës, që në kampionatin shqiptar ka provuar të luajë edhe me Apoloninë e Dinamon, rikthehet pas shumë vitesh në Shqipëri dhe e bukura është që do të jetë pjesë e vlonjatëve, ku edhe ka zhvilluar ndeshjen e parë në vendin tonë, asokohe pjesë e fierakëve. Tani nis një kapitull tjetër dhe për “Sport Ekspres” Pollozhani ka treguar fillimet e tij në Superiore, arsyen pse iu bashkua Flamurtarit dhe synimet e tij në këtë eksperiencë të re.

-Artim, pas 15 vitesh do të riktheheni sërish në Shqipëri. E kishit menduar që do të ndodhte kjo, sidomos në një moshë të tillë 35-vjeçare që jeni ju?

Po e vërtetë, pas shumë vitesh rikthehem përsëri në kampionatin shqiptar. Ka edhe një kuriozitet, që rikthehem në stadiumin ku kam bërë ndeshjen e parë në Shqipëri, në një ndeshje Flamurtari-Apolonia. Ka qenë viti 2011 ose 2002, nuk më kujtohet ekzaktësisht. Normalisht që jam shumë i lumtur. Vetë fakti që rikthehem në këtë moshë, do të thotë për një regjim maksimal nga ana ime, si në aspektin e stërvitjeve ashtu edhe të jetës sportive.

-Çfarë kujtoni nga eksperienca juaj e parë në Shqipëri me Apoloninë dhe Dinamon?

Kujtoj çdo herë insistimin e presidentit të atëhershëm të Apolonisë, zotin Fatmir Kajolli, për të më marrë mua në ekip dhe unë në çdo intervistë timen e falënderoj publikisht. Ka qenë një vit i suksesshëm në Fier, pastaj me Dinamon me Dinamon fituam një kupë si dhe kampionatin në atë finale me Partizanin, që nuk e harroj asnjëherë. Kam qenë në dy klube mjaft me vlera për mua personalisht, ndaj edhe më vjen keq që nuk janë pjesë e Superiores.

-Gjatë kësaj periudhe, a e keni ndjekur futbollin shqiptar?  Si ka ndryshuar ai?

Unë edhe kur kam qenë në Gjermani, në Rusi apo Kroaci, e kam ndjekur zakonisht. Më bën përshtypje infrastruktura e stadiumeve, që janë në nivel. Por kam mundur të dëgjoj prej shokëve që mungon akoma profesionalizmi nëpër ekipe.

-Tanimë do të nisni një aventurë të re në Vlorë. Nuk do mend për të kuptuar se trajneri Duro ka qenë një nga arsyet e kësaj lëvizje, por a kishte diçka tjetër që ju bindi për ta hedhur këtë hap?

Po, ka qenë profesor Duro arsyeja që do t’i bashkohem Flamurtarit. Njihemi shumë mirë bashkë prej te Shkëndija, por më besoni që profesori është profesionist dhe ka besim tek unë që do e ndihmoj ekipin. Këtë gjë shpresoj edhe vetë unë. Ai gabon shumë pak në lëvizje ose fare. Unë i siguroj edhe profesorit, edhe të gjithëve në klub, që do të jap maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje.

-Ndoshta edhe ngjyrat kuqezi mund t’i rendisni si arsye…

Patjetër që po. Të kuptohemi, unë respektoj çdo klub, çdo sportist. dhe ndihem i lumtur që do jem pjesë e një ekipi si Flamurtari.

-Besoj i keni ndjekur lëvizjet në merkato. Flamurtari është rindërtuar nga zero, por ka ambicie: A janë te justifikuara këto ambicie, nëse nuk ke një skuadër të ndërtuar prej vitesh?

Është e vërtetë që një ekip i ri do kohë për të pretenduar për majat e klasifikimit, por profesor Duro jo pa qëllim merkaton e bën me lojtar që i njeh. Do ju tregoj një fakt. Kur profesor Duro ka ardhur te Shkëndija herën e parë, në fazën e parë ishim duke rënë nga kategoria, ndërsa në fund të kampionati dolëm në vend të katërt, duke marrë pjesë në kupat e Europës. Kjo ndodhi në 14 ndeshje.

-Duke parë lojtarët që po afron Duro dhe me disa emra që priten, a ju bezdis fakti që mund të qëndroni edhe në stol, apo prisni formacionin?

Nuk besoj se ka futbollist që nuk do të luajë. Tani unë mendoj që nuk duhet parë mosha, por ajo çfarë jepet në fushë. Unë jam i mendimit që unë do e ndihmoj Flamurtarin.

Së fundmi, deri ku mund të arrijë ky Flamurtari dhe a është ky stacioni i fundit në karrierën tuaj?

Unë mendoj që me këtë kontigjent futbollistesh dhe me një fazë përgatitore të mirë, besoj që do arrijmë shumë gjëra të mira. Sa i përket karrierës, jo rastësisht ju thashë që ndeshjen e parë e kam zhvilluar në stadiumin e Vlorës. Mbase Zoti ma sjell që ta mbyll në Vlorë. Shpresoj për një kampionat të suksesshëm, pastaj punën e karrierës e vendosim pas kampionatit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.