Sezoni është mbyllur në Kategorinë e Parë dhe tashmë sytë janë nga merkatoja dhe nga sezoni i ri. Te Pogradeci kanë nisur përgatitjet, teksa sekretari i klubit Arjan Terrolli, për SportEkspres.com deklaron se liqenorët kanë projektin e tyre për sezonin e ri, ndërsa për zërat që kanë të bëjnë me Albi Çekiçin nuk kishte ndonjë informacion.
ÇEKIÇI – “Albi është i mirëpritur në çdo kohë te Pogradeci, jo vetëm se është pjesë e shkollës pogradecare të futbollit dhe ndjehet në shtëpinë e tij, por edhe për nivelin e lartë që ai ka treguar në skuadrat ku ka luajtur. Personalisht, unë si sekretar dhe trajneri Fetollari nuk kemi konfirmim për këtë rikthim, por edhe nëse vjen, është i mirëpritur”.
SEZONI I RI – “Për momentin ne kemi vetëm projektin e sezonit të ri ku edhe Çekiçi është në planet tona, por gjithçka mbetet e kushtëzuar nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale, sepse klubi administrohet nga Bashkia. Fillimi i muajit korrik do zbardhë gjithçka për vazhdimësinë e skuadrës sonë në sezonin e ri”.
AGRON KAJA