Mbrojtësi i ardhur në merkaton e janarit te Kukësi, Olsi Teqja ka folur para ndeshjes të verilindorëve përballë Tiranës, ku u shpreh optimist për marrjen e tri pikëve. Po ashtu, mbrojtësi pranoi se mbrojtja e Kukësit do ta ndalë sulmin e Tiranës, pavarësisht momentin shumë të mirë që po kalojnë bardheblutë. Për “RTSH Sport”, Teqja tha:
NDESHJA PËRBALLË TIRANËS – “Kam përshtypjen se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, pasi Tirana ka bërë shumë mirë në javët e fundit. Ne i respektojmë si kundërshtarë, por jo më shumë seç duhet. Jemi optimistë se do të marrim maksimumin nga kjo sfidë”.
SULMI I TIRANËS – “Ngo po bën shumë mirë dhe e kemi ndjekur dhe studiuar me interes të madh. Por nuk duhet harruar as Hasani, pasi po bën një sezon shumë të mirë. Gjithsesi, mbrojtja e Kukësit ka shumë eksperiencë dhe besoj se do ia dalim”.
TRANSFERIMI TE KUKËSI – “E doja transferimin te Kukësi dhe këtu doja të vija dhe disa vite më para. Tani jam këtu dhe jam mëse gati të jap 100% dhe të ndihmoj klubin në arritjen e objektivave”,- u shpreh Teqja.