Mesfushori i Partizanit, Bruno Telushi, ishte i ftuar në emisionin “Kampionët” në “Vizion Plus”, ku diskutoi mbi shumë tema në lidhje me ekipin kryeqytetas. Futbollisti vlonjat zbuloi në emision një praktikë të ndjekur nga trajneri Skënder Gega, ndërsa nuk mungoi një koment për gjendjen e rivalëve të Tiranës.
MENAXHIMI I LOJTARËVE NGA GEGA – “Mbaj mend kur ishin në fazë përgatitore në Ohër, ai nuk filloi menjëherë ta na bënte stërvitjen, por organizoi disa mbledhje tek e tek. Pyeti çdo lojtar për vështirësitë që kishte pasur në sezonin e kaluar, unë i tregova për problemet që hasa me fizikun, pata shumë dëmtime. Ai diti si të fliste me lojtarët, na kuptoi çfarë karakteresh kishim. Me disa sillej sikur e kishte shok, me disa të tjerë sikur i kishte fëmijë”.
GARA ME RIVALËT – “Në fillim të sezonit Flamurtari ishte një ekip shumë i mirë, por filluan problemet financiare. Pas disa javësh rivali kryesor ishte Kukësi. Ata na kanë motivuar, i falënderoj me deklaratat që kanë bërë: “Jo gjunjtë, jo biçikleta”. Ndonjëherë kur të mungon karikimi, këto deklarata të karikojnë”.
TIRANA DHE DËSHTIMI NË DERBI – “Normalisht që kjo ndikon. Me kaq shumë kohë sa ka Tirana pa fituar, shtohet presioni pasi kërkon medoemos fitoren. Dihet që presioni i tepërt të bën keq në ekip. Unë mendoj se Tirana gabimin e ka bërë që në fillim. U frynë shumë, me foto etj. . E kam provuar vetë te Flamurtari në 2015-ën. Ekip me emra shumë, por 0. Edhe Partizanin në sezoni e shkuar. Futbolli i sotëm duhet të kesh një grup shumë të fortë që të arrish te suksesi. Vetëm Mesi dhe Ronaldo janë të aftë të marrin ekipet përdore”.
FILLIMI I SEZONIT – “Titulli kampion nuk ishte objektiv. Kjo ka bërë dhe mirë për grupi, pasi nuk ishte ai presioni: ‘O kampion o s’ka’. Pas javës së 10-të grupi filloi ta kuptonte se titulli ishte i mundshëm”.
PREMIO E TITULLIT – “Jemi ulur me presidentin dhe na ka thënë: Djema mendojeni vetë shifrën e premios. Gjithsesi ne lojtarët ende nuk jemi mbledhur që të vendosim për këtë gjë”.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit, nw lidhje me banderolën “Kampion me VKM” të bërë nga tifozët e Tiranës, Telushi tha:“Ne e kemi treguar në fushë që kemi marrë çdo gjë me meritë. Olsi Rama ka qenë një ndër personat që gjithmonë më ka udhëzuar të jem i qetë me arbitrat në çdo rast. Mbaj mend gjatë derbit, tifozët e Tiranës se ç’kishin një shprehje për Erion Braçen dhe tifozët në krahun e Partizanit filluan të acarohen dhe shajnë, Olsi ishte i pari që u ngrit dhe filloi të qetësonte tifozët”.