Të pathënat e Kalderon: Higuain-Ronaldo i bleva unë, Perez nuk donte!

Roman Kalderon ishte presidenti i Realit të Madridit gjatë viteve 2006-2009, për të dhënë dorëheqjen në verën e vitit 2009 për shkak të një parregullsie në Asamblenë e klubit “merengues”. Florentino Perez u rikthye në krye të klubit, duke blerë Ronaldon, Kaka, Benzema, Ksabi Alonso dhe Raul Albiol. Një erë e re nisi në klubin madrilien, për t’u pasuar nga katër Champions Liga të fituara.

Kalderon ka folur për “Gazzetta dello Sport”, duke zbuluar faktn që ishte ai që arriti marrëveshjen e blerjes së Kristiano Ronaldos. Në epokën e Kalderon u ble dhe Gonzalo Higuain dhe ish-presidenti ka një respekt të madh për të dy. Ai tregon detaje interesante, ndërsa nuk nguron të quajë shitjen e portugezit te Juventusi si një gabim historik i Realit.

HIGUAIN – “E morëm Gonzalon së bashku me Gagon dhe Marselon, për një çmim, që me çmimet absurde që qarkullojnë, mund të duket qesharak: 9 milionë euro. Unë nuk e njihja, por Franko Baldini dhe Predrag Mijatoviç më siguruan që ai do të bëhej një futbollist i madh. Nuk e kishin gabim, Madridi ka shijuar shumë gola nga Gonzalo, pastaj e shitën. Ai erdhi te ne pa i mbushur 18 vjeç, por u integrua mirë në grup. Kapelo nuk e konsideronte Ronaldo Fenomenin të përshtatshëm me Van Nistelroin dhe më bindi ta largoja në janar te Milani. Higuain përfitoi hapësira, dha një kontribut të rëndësishëm në parakalimin ndaj Barcelonës dhe na dërgoi në fitimin e titullit në frymën e fundit. U rrit shumë me ne dhe përparoi në vitet në vijim.”

CR7 – “Jam impenjuar dy vite për të marrë Kristiano Ronaldon. Ishte shumë i lidhur me Junajtid dhe Junajtid me të. Në fund m’u përgjigj pozitivisht, por në gushtin e vitit 2008, kur ishim në Bogota për një miqësore, më telefonoi dhe më kërkoi të qëndronte dhe një vit në Mançester, për një borxh mirënjohjeje kundrejt Aleks Ferguson. Ramë dakord dhe në dhjetor firmosëm kontratën për verën e ardhshme. Fati i Perezit për ta shijuar? Jo, unë jam madrilien dhe e kam shijuar për 9 vite Ronaldon. Së bashku me Di Stefanon, ai është i huaji më i mirë i historisë së Realit. Mentaliteti i tij e ka tërhequr skuadrën drejt shumë sukseseve. Nuk kam njohur kurrë një lojtar të tillë, një që ka një talent të madh dhe një vullnet të hekurt, i udhëhequr nga fiksimi për t’u përmirësuar ditë pas dite.”

DËSHIRA – “Ideja jonë ishte të formonim një sulm: Roben-Ronaldo-Higuain. Perez kishte ide të tjera, ai ka bërë shumë për Realin, por ka vuajtur gjithmonë të menaxhojë lojtarët, të cilët nuk i ka blerë vetë. Kështu ndodhi me Kasijas, Raul, Roben dhe Shnajder. Ishte gati të hiqte dorë dhe nga Marselo e Ronaldo, por nëse nuk do të blinte portugezin, i duhej të paguante penalitetin prej 30 milionë eurosh që kishim vendosur me Junajtid, në rast se Reali hiqte dorë nga blerja e Ronaldos. Një gjë që Kristiano e di dhe nuk i ka pëlqyer, madje e mori si fyerje. Perez bleu Benzema dhe Kakanë (për të cilin kishim sinjalizuar se ka një problem të vështirë për t’u zgjidhur në gju) dhe aty u zvogëluan hapësirat e Higuain, çka çuan në largimin e tij.”

SHITJA E RONALDOS – “Një gabim historik, i përcaktuar gjithmonë nga vështirësia e Perez për të menaxhuar lojtarët e trashëguar. Ai nuk zëvendësohet dot dhe do e bëjë Juventusin akoma më të madh. Do të luajë dhe disa vite në nivele të larta. Juventus do të fitojë kampionatin dhe është kandidati kryesor për fitimin e Champions, sepse uria e Ronaldos është e pashtershme dhe ngjitëse. Reali ka qëndruar 9 orë pa shënuar këtë sezon dhe është evidente që kjo gjë ka të bëjë me mungesën e Ronaldos. E përsëris, ai është i pazëvendësueshëm. Jam i lumtur që po bën mirë me Juven dhe kjo gjë më bën krenar. Milan-Juventus? Do e regjistroj dhe do e shoh më vonë, sepse në atë orë luhet Selta-Real. Shpresoj të shënojnë si Higuain ashtu dhe Ronaldo. Fitoftë më i miri.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *