Të pathënat e Iniestës: Depresioni, urrejtja Barça-Real dhe ndeshja e fundit me Spanjën

Andres Iniesta është një legjendë e Barcelonës, Spanjës dhe lojës më të bukur në botë. Futbollist gjenial dhe mesfushor klasi e tepër i rrallë. Iniesta është esenca e kësaj loje dhe ai gëzon respektin e të gjithëve. Fatkeqësisht koha nuk fal askënd dhe një gjëje të tillë nuk i shpëton askush.

34-vjeçari u largua gjatë verës në Japoni tek ekipi i Visel Kobe, duke i dhënë fund me Barcelonën e tij. Iniesta ka folur për programin televiziv spanjoll “Salvados”, duke ia nisur nga fëmijëria. Ai ka lindur në Fuentealbilla, zonë që ndodhet më afër Madridit sesa Katalunjës. Albasete ishte ekipi i parë i “engjëllorit” Andres, ndërsa bënte tifozllëk dhe për Barçën.

Në një moment u lëkund, siç e tregon vetë, por vetëm për pak kohë. Iniesta vazhdon të flasë, duke kujtuar periudhën e depresionit që pësoi gjatë vitit të tripletës me Barcelonën (2009), kulmin e rivalitetit Barcelona-Real Madrid dhe personin përgjegjës, për ta mbyllur me tërheqjen nga kombëtarja e Spanjës në Botërorin e Rusisë dhe biseda me Hierron përpara ndeshjes së tij të fundit me ekipin “La Roja”.

TIFOZLLIKU – “Kur isha i vogël isha tifoz i Albasetes dhe Barcelonës. Por, një ditë Barcelona na shënoi 7 gola dhe më ndodhi një gjë e çuditshme: u futa në konfuzion dhe për një farë periudhe u afrova me Realin e Madridit.”

MURINJO – “Murinjo ishte komponenti kryesor i marrëdhënieve të këqija në atë periudhë midis Realit dhe Barcelonës. Ajo situatë i krijoi shumë dëme kombëtares tonë. Ishte absurde! Nuk ndjeja më rivalitetin e përhershëm, ishte krijuar urrejtje. Një gjë e tillë po kultivohej dhe ishte e padurueshme.”

DEPRESIONI – “Në një situatë të tillë nuk ndjen asgjë, nuk arrin t’i ndjesh gjërat. Mezi prisja të vinte nata për të marrë ndonjë pilulë dhe për të pushuar. Depresioni është i tmerrshëm, kur e ke nuk je më vetvetja. Kur të ka prekur depresioni është tepër e vështirë të kontrollosh jetën tënde.”

SPANJA – “Kur Lopetegui u largua nga kombëtarja, sportivisht nuk ishte diçka pozitive, nuk mund të ishte në asnjë mënyrë. Ajo që nis keq, përfundon akoma më keq. Përpara ndeshjes time të fundit, Hierro (trajneri i Spanjës në Botëror) bisedoi me mua dhe më tha se nuk do të luaja. Një vendim të tillë e pranova, por nuk e kuptova kurrë. Isha shumë i zemëruar. Largimi nga Barcelona? Mund të luaja gjithë jetën time me Barçën, por nuk isha më në gjendje për të dhënë 100% për skuadrën.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *