Çelsi po bën një sezon të mirë deri diku, pavarësisht se diferenca me kryesuesit e Liverpul është tetë pikë. Blutë e Londrës duket se kanë gjetur përsëri harmoninë që i mungonte në klub, teksa Mauricio Sarri i ka dhënë një fytyrë të re skuadrës.
Gjithsesi, pavarësisht se trajneri i ri ka sjellë një klimë tejtër në ekip, përsëri ka të pakënaqur dhe një nga këto është Geri Kahill. Qendërmbrojtësi i londinezëve gati nuk ka gjetur hapësira farë për t’u aktivizuar dhe minutat e tij të aktivizimit këtë sezon janë vetëm 21.
Për këtë arsye, anglezi po shqyrton situatën e tij dhe një largim në janar duket i pashmangshëm. Ekipet në Premier Ligë, gjithashtu duket se kanë nisur të lëvizin për të siguruar shërbimet e 32-vjeçarit dhe një nga klubet është pikërisht Fulhemi.
Ekipi i drejtuar nga Klaudio Ranieri, ndodhet në vendin e fundit dhe ndërhyrjet në merkaton e janarit janë të domosdoshme për ta. Problemi kryesor i Fulhemit, shihet të jetë mbrojtja, pasi kanë pësuar plot 42 gola, ende pa u mbyllur faza e parë. Kështu, një transferim i mundshëm i Kahill do të ishte një përforcim i rëndësishëm për ta.