Merkato e janarit nuk është mbyllur ende dhe Juventus po tenton të bëjë një tjetër goditje. Bardhezinjtë kanë arritur akordin me Aron Ramsejn, por mbetet të shihet nëse uellsiani do të zbarkojë në Torino në fund të sezonit me parametra zero, apo Juvja do të paguajë diçka tek Arsenali për të ofruar menjëherë mesfushorin në ekip dhe për t’i plotësuar dëshirën trajnerit Alegri.
Por një tjetër emër ka dalë në skenë dhe ai është Tangi Ndombele. 22-vjeçari i Lionit luan në rolin e qendërmesfushorit dhe Paratiçi ka programuar një takim me agjentin e tij në javën e ardhshme.
Konkurrenca për lojtarin, i cili debutoi në tetor me kombëtaren franceze, është e madhe dhe për të interesohen: Inter, Roma, Mançester Siti, Arsenal dhe Totenhem. Lioni rreh lart dhe kërkon 80 milionë euro, me shpresën që të hapet një ankand për yllin e mesfushës dhe çmimi të rritet.
Nga ana tjetër, Juventusi është gati të nisë sulmin për Ndombele dhe të arrijë akordin me agjentin për të bindur lojtarin të zgjedhë ekipin e Alegrit. Ky është plani i kampionëve të Italisë dhe pastaj do të nisin tratativat me klubin e Lionit për të arritur marrëveshjen përfundimtare.