Trajneri i Laçit, Sulejman Starova, foli pas fitores 1-0 kundër Skënderbeut, ku tha se skuadra e tij nuk vodhi asgjë, por Skënderbeu meritonte diçka më shumë. Për ndeshjen, golin e Shtubinës, sfidën kundër Partizanit dhe shumë të tjera, Starova tha për Supersport:
SKËNDERBEU – “Kundërshtari ka pasur oshilacionet e veta, ka filluar mirë kampionatin, por dhe në ndeshjen kundër Kastrotiti ka bërë mirë. Na vuri në vështirësi, por portieri ynë bëri shumë mirë dhe na mbajti të lojë. Duhet të vazhdojmë të bëjmë ndeshje të tilla.
GOLI I SHËNUAR – “Kemi bërë disa variante gjatë kohës që kam qenë këtu. Një trajner punon shumë në goditje standarte dhe kur gjërat shprehen me sukses në fushë, është një ndjesi e mirë për një trajner”.
SHTUBINA MBROJTËS – “Daljet e Vangjelit ishin të rrezikshme, prandaj Shtubinës i thashë të qëndronte më mbrapa. Një kundërshtar që kërkon të barazojë, kalon me katër sulmues, me katër mesfushor. Nëse nuk i kap në kundërsulm, vuan. Ne i kishim rastet tonë, por nuk shënuam. Është mirë kur skuadra fiton duke vuajtur”.
FATI – “Sigurisht që isha pafat me Kukësin, me Tiranën isha shumë pranë kualifikimit. Thashë se isha pafat, pasi arbitri nuk dha dy penallti, jo qimes së derrit. Na e hoqi në sekond të fundit penalltinë kundër Kukësit. Sot nuk vodhëm gjë, por Skënderbeu meritonte më shumë”.
PARTIZANI – “Nuk do ta kërkoj me ngulm fitoren kundër Partizanit. Do të respektojmë skuadrën që po del kampion dhe të luajmë sa më mirë. Kur themi që të respektojmë kundërshtarin që po del kampion, është respekti në radhë të parë se duke luajtur mirë, arrijmë objektivat. Kjo është përgjigja e fundit që mund të jap”.
TOLERIM NGA PARTIZANI – “Absolutisht jo, sepse Partizani dhe tifozët e vet po presin me padurim që të festojnë. Kanë dëshirë dhe kanë kohën për të festuar ndeshje për ndeshje. Ata kanë motiv shumë të madh dhe kanë mbështetjen edhe të publikut. Është kënaqësi për mua dhe për lojtarët e mi të luajnë me skuadrën që do të dalë kampion”, përfundoi Starova.