Një kampionat mjaft i fortë ky sivjet, teksa janë disa klubet që duan titullin kampion. Për garën në elitën e futbollit shqiptar ka folur së fundmi edhe Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Numri një i federatës, në intervistën e dhënë për “Top Channel”, ka komentuar edhe stadiumet bosh, situatën që po kalojnë Skënderbeu e Tirana, apo edhe për akuzat e Stavri Nicës ndaj skuadrës së tij.
Nuk mbetet jashtë analizës së Dukës edhe kombëtarja, ecuria dhe të mirat që erdhën nga Nations League. Kreu i FSHF-së beson se shumë shpejt edhe trajnerët shqiptarë do të mund të drejtojnë Shqipërinë, ndërkohë që flet edhe në lidhje me kandidimin për në Komitetin Ekzektutiv të UEFA-s.
SUPERIORJA – “Është një garë akoma më e fortë se e edicionit të kaluar dhe e organizuar edhe më mirë, në të gjitha këndvështrimet është një kampionat më i mirë se i mëparshmi. Stadiumet bosh? Kushtet e stadiumeve, ndoshta është edhe transmetimi i drejtpërdrejt i të gjitha kampionateve të tjera, qartazi më të forta se i joni. Kështu, nëse do të luhet një ndeshje Real-Barcelona, njerëzit preferojnë të rrinë në shtëpi e t’i shohin të dyja, pasi edhe Superliga transmetohet drejtpërdrejt. Menaxhimi dhe promocioni nga vetë klubet dhe mënyra se si duhet t’i afrojnë ata, të gjitha këto nuk janë bërë mirë”.
SKËNDERBEU – “Nuk shoh asnjë cedim në kampionat nga Skënderbeu. Ka pasur angazhim maksimal dhe është shumë i interesuar për të patur një klasifikim sa më të mirë. Nëse do të lejohet të marrë pjesë në sezonin e ardhshëm në kupat e Europës apo jo, do ta vendos KAS-i”.
AKUZAT E NICËS – “Nuk është asnjëherë një gjë e mirë kur krijohen shkëputje nga fillimi apo nga fundi, duke e bërë më pak të interesuar. Ekipet duhet ta vlerësojnë maksimalisht ndeshjen, në fund të fundit kjo është një lojë për të cilën kanë bërë maksimumin për t’u ngjitur në Superligë”.
TIRANA – “Më vjen keq për pozitën që është Tirana, pasi ka mundësi më shumë se sa të tjerët. E përsëris që më vjen keq, por kjo nuk mund të përmirësohet me urim, e nuk mund të përmirësohet me dëshirë nëse nuk do të ketë një menaxhim më të mirë, që i mungon Tiranës. Nëse nuk do të ketë një menaxhim më të mirë, Tirana do të vazhdojë të vuajë”.
PROBLEMET ME PAGAT – “Klubet nuk duhet të tentojnë të paguajnë më tepër se sa i kanë kapitalet e tyre. Ky është një gabim i madh. Çdo klub duhet të ketë një buxhet të parashikuar dhe të mbulojë shpenzimet me vetë të ardhurat që vijnë nga klubi nga vetë futbolli, nga të ardhurat e të drejtës televizive, nga të ardhurat e biletave e sponsorëve, etj. Ka qenë një lloj periudhe tranzicioni e cila forcohet vit pas viti, për të ardhur në idealen që ne nuk do të lejojmë më klube me bilance negative.
NATIONS LEAGUE -“Në ambientimin e stafit teknik, pas një stafi të suksesshëm që arriti me Shqipërinë të hymë në Euro 2016-të, evidentimin e disa futbollistëve të rinj që do të kemi edhe për eliminatoret e ardhshme të Europianit”.
TRAJNER SHQIPTAR NË KOMBËTARE – “Shkolla shqiptare e trajnerëve ka filluar rreth vitit 2004 e njohur ndërkombëtarisht e nga UEFA dhe me licencë që mund të punosh në çdo vend të Europës. Por mund të konsiderohet një shkollë e re, 2004-2018 janë pak vite, por gjithsesi, produktet e asaj shkolle janë trajnerët e rinj që ju sot shihni në pankina dhe që jam i bindur që janë të gatshëm sa më shumë eksperiencë të marrin, të drejtojnë edhe ekipin kombëtar A”.
KANDIDIMI -“Ka qenë i njëjti qëllim edhe tani si dy vite më parë: të shoh Shqipërinë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Sinqerisht nuk e kam menduar ndonjëherë të shoh Armand Dukën si anëtar të komitetit, por në çdo lloj vendi të shoh Shqipërinë një pozicion më lart. Ky ka qenë qëllimi, qoftë herën e parë qoftë edhe tani. Gjithsesi edhe këtë e shoh si sport”.