Speciale | Formacioni i karrierës, Nica “i ndarë” mes Laçit e Teutës

0

Stavri Nica vjen nga “Djemtë e detit”, nga shkolla e futbollit durrsak që në periudha të ndryshme ka qenë faktor i rëndësishëm në futbollin shqiptar. Nica ka qenë aktiv prej vitesh në elitën e futbollit shqiptar dhe ftesës së SportEkspres.com për të ndarë me sportdashësit shqiptarë dhe lexuesit tanë formacionin me lojtarët më të mirë që ka drejtuar në karrierën e tij si trajner, ai iu përgjigj pozitivisht.

Moduli që ka i përzgjedhur është ai  4-3-3 dhe fokusi ka qenë kryesisht te skuadra e Teutës dhe te Laçi, skuadra me të cilat ka fituar edhe trofe. Portieri më i mirë për të është Xhevair Kapllani, të cilin e veçon si lojtar kyç në skuadrat ku ka luajtur, por edhe rekordmen i kohës për mospësimin e golave në 824  minuta lojë resht. “Kapllani ka qenë një portier model, korrekt dhe lojtar kyç në çdo skuadër ku luajti në karrierën e tij. Në atë kohë arriti edhe rekordin me 824 minuta lojë pa pësuar gol, duke u evidentuar si një portierët më të mirë të kohës”.

Ndërsa katërshja e repartit të mbrojtjes e vendosur nga Nica përbëhet nga dy skuadra: Teuta dhe Laçi. Taulant Sefgjini mendohet si mbrojtësi më i mirë në krahun e majtë, ndërsa Anesti Qendro në krahun e majtë. Në qendrën e mbrojtjes Nica ka veçuar Stipe Buljan dhe Adrian Abazin, që sipas tij, mbeten si mbrojtësit që çdo skuadër i ka pasur kundërshtarë të vështirë. “Të katërt këta kanë qenë lider në fushën e lojës në pozicionet e tyre. Kanë qenë lojtarë të fortë e korrektë në fushë, jepnin shumë siguri në lojën e tyre individuale në shërbim të skuadrës”.

Tre mesfushorë kanë qenë më të veçantë për Stavri Nicën trajner: Emiliano Vila, Arlind Nora dhe Emiliano Veliaj. “Karakteristikat e tyre ishin të veçanta, por individualisht kanë qenë lojtarë të mirëpërgatitur fizikisht dhe teknikisht. Në organizimin e lojës nuk përqendroheshin vetëm në pozicione statike, por ishin edhe golashënues të saktë”.

Ndërsa treshja e sulmit është përzgjedhur me “bombera” që i kanë shërbyer skuadrës jo vetëm në shënimin e golit: “Natyrisht që së pari në këtë repart veçoj Daniel Xhafajn, jo vetëm se ka qenë edhe kryegolashënues i kampionatit, por edhe pse ai ishte një “lokomotivë” e skuadrës. Edhe Mancakun e Xhejmsin unë i quaj sulmues klasi, të cilët shërbenin cilësisht edhe në repartin e mesfushës, por gjithmonë protagonistë në shënimin e golit”.

KARRIERA – Stavri Nica e ka nisur karrierën e tij në futboll me skuadrën e Lokomotivës së Durrësit, sot Teuta. I lindur më 8 qershor 1954, Nica luajti mbi dhjetë sezone me këtë skuadër, ndërsa dukej se karriera e trajnerit e tërhiqte në rrugën e tij me futbollin. Dhe në vitin 1993 ka drejtuar Teutën si trajner i parë, duke u bërë një nga trajnerët më të kudondodhur, pa dallim të kategorive ku skuadrat kanë bërë pjesë.

Skuadrat që Stavri Nica ka drejtuar si trajner janë të shumta, madje në disa prej tyre ka qenë disa herë në stol, me kohështrirje të ndryshme nga sezoni në sezon. Teuta, Besëlidhja, Laçi, Erzeni, Bylis, Apolonia, Shkumbini, Luzi 2008 dhe Kastrioti plotësojnë CV-në e Nicës në 26 vite karrierë si trajner, teksa ka arritur të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë me durrsakët dhe kurbinasit.

IDEUAN DHE PËRGATITËN: Vladimir Prenga, Agron Kaja

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.