Spaleti: Mesi është shqetësim për këdo, Barça e tregoi veten dhe pa të

0

Ecuria e Interit në javët e fundit është goxha impresionuese, teksa zikaltërit numërojnë 7 fitore radhazi në kampionat, ndërsa në dhjetë ndeshjet e fundit kanë 9 fitore dhe 1 humbje. E vetmja disfat e zikaltërve është ajo ndaj Barcelonës, në “Camp Nou” në shifrat 2-0. Pikërisht ndaj Barcelonës, Interi do të luajë përsëri mbrëmjen e nesërme, por këtë herë në mitikun “San Siro”.

Në kuadër të sfidës së nesërme, tekniku zikaltër, Luçiano Spaleti ka folur përpara mediave. Numri një i pankinës së Interit, është shfaqur i qetë përpara takimit, ku foli dhe për gjendjen e të dëmtuarit Naingolan. Ndër të tjera, Spaleti thuri dhe elozhe për Lionel Mesin, i cili mund të jetë në fushë për ndeshjen e nesërme.

GJENDJA NË EKIP – “Gjithmonë e kam thënë se mund të luajmë ndaj kujtdo dhe vijoj ta them këtë gjë. Rezultatet e fundit e përforcojnë këtë dhe ndeshja e nesërme do të jetë një mundësi  e mirë për të parë, në rast se me të vërtetë mundemi të sfidojmë Barcelonën, të cilët përfaqësojnë një ndër nivelet më të larta të futbollit”.

KUNDËRSHTARI – “Në ndeshjen e parë nuk mundëm ta mbanim mirë topin në momentin që e kishim në zotërim, që do të thotë që nuk mundëm të ndryshonim rrjedhën që kishte marrë loja. Duhet të jemi më mirë në momentin që fitojmë topin, sepse Barçës nuk i pëlqen kur kundërshtari mban topin dhe vijnë menjëherë për ta rrëmbyer”.

NDESHJA – “Koha dhe hapësirat do të jenë të limituara dhe do na duhet të shfaqim kualitet dhe personalitet. Në një ndeshje si kjo është shumë e vështirë të gjesh hapësira për të luajtur topin. Duhet të kemi kualitetin që të mendojmë se ku duam të shkojmë, përpara se ta shohim me sy duhet ta mendojmë”.

NAINGOLAN – “Do ta vlerësojmë dhe një herë situatën e Raxhas. Do të marrim dhe një përgjigje pas stërvitjes së ditës së nesërme. Mund të jetë gati dhe mund ta nisë nga minuta e parë, ndoshta në pozicionin e tij natyral në mesfushë dhe jo shumë i avancuar. Ai nuk është një trekuartist i mirëfilltë dhe pozicioni i tij është më i tërhequr, ku mund ta shfaqë dëshirën dhe forcën e tij akoma më shumë. Naingolan nuk lejon asnjë kundërshtar që ta luajë topin qetë”.

MESI – “Barcelona e tregoi që edhe pa Mesin në fushë, ata kanë një mentalitet për lojën e tyre, që bën diferencën. Sigurisht Mesi është qershia mbi tortë për ta. Ai është një idhull për fëmijët që ëndërrojnë të bëhen futbollistë. Lojtarët më të mirë e prekin topin dyfish nga të tjerët, ndërsa Mesi e prek katërfish. Janë shumë elementë që e bëjnë atë të jetë më i miri në botë”.

PËRGATITJA E SFIDËS – “Është një shqetësim i madh për këdo që luan kundër Mesit, por qëndrimi ynë nuk ndryshon. Ne duhet të jemi më të mirë në leximin e lojës dhe të mos lejojmë hapësira”, përfundoi fjalët e tij tekniku i zikaltërve.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.