Katër ndeshje, katër humbje. Tek Interi filluan të ëndërronin kur siguruan shtatë fitore radhazi, por humbjet ndaj Atalantës, Juventusit dhe Totenhemit i shkaktuan një goditje të fortë moralit të skuadrës zikaltër. Barazimi ndaj PSV-së ishte “grushti” i nokautit, por trajneri Spaleti beson se ekipi i tij nuk duhet të shkatërrojë atë që kanë ndërtuar me aq shumë mund.
“Është thelbësore që skuadra të reagojë menjëherë”, tha tekniku toskan në daljen për shtyp që i paraprin takimit të nesërm me Udinezen.
INTERI NË KRIZË ? – “Nuk mendoj se jemi në krizë. Nëse shikon rezultat mund ta krijosh këtë ide, por po të shikosh ndeshjet tona do të kuptosh se gjithçka është vendosur nga gabime shumë të vogla. Nuk është si kriza që pësuam në mes të sezonit të kaluar”.
“U eliminuam për shkak të golavarazhit. Sipas mendimit tim skuadra bëri mirë, përjashto disa momente nervozizmi pasi kundërshtar (PSV) mori avantazhin. Bëmë lojë të mirë dhe e meritonim të fitonim pasi krijuam shumë shanse”.
AKUZAT – “Më është krijuar mendimi se disa njerëz kërkojnë të shkatërrojnë atë që kemi punuar prej kaq shumë kohësh. Nuk është nevoja të hedhim çdo gjë poshtë. Rrugëtimi i Interit vazhdon dhe për këtë duhet të punojmë”.
“Është e qartë që të gjitha kritikat për mua janë të drejta. Nuk është nevoja të merreni me lojtarët. Ata po bëjnë gjithçka siç duhet dhe më kanë treguar se janë të gatshëm të punojnë për ta çuar Interin aty ku duhet. Sigurisht një pjesë e kritikave ka qenë brutale, por kritikat e bëra siç duhet mund të na ndihmojnë për të parë siç duhet ku çalojmë”, përfundoi Spaleti.