Interi mori një sukses mjaft të rëndësishëm në ndeshjen e fundit për këtë vit në fushën e Empolit, me rezultatin e ngushtë 0-1, ku Keita Balde ishte heroi takimit me golin e vetëm. Pas sfidës, tekniku zikaltër, Luçiano Spaleti doli përpara mediave, ku foli për performancën e ekipit të tij, por edhe për vitin e ardhshëm 2019.
Deklarata që ra në sy në prononcimin e trajnerit, ishte ajo që tha për Juventusin dhe Serinë A. Spaleti u pyet, në rast se do t’i pëlqente një trofe në vitin e ardhshëm. Tekniku u shpreh se, Interi është në garë për dy trofe, Europa League dhe Kupën e Italisë, pasi në Serinë A, Juventusi ka dalë kampion, teksa është ekipi më superior nga të gjithë.
NDESHJA – “Janë ndeshje që në rast se nuk arrin t’i zhbllokosh mund të të nxjerrin shumë probleme. Nuk kemi qenë mirë, por në pjesën e dytë përmirësuam posedimin e topit dhe punuam në lirimin e krahëve. Gjithsesi, themelore është fitorja dhe e rëndësishme është që objektivi u përmbush”.
VITI 2019 – “Duhet të bëjmë një kampionat dhe një Europa League në lartësinë e duhur, pastaj në Kupën e Italisë gjithashtu, pasi luajmë dhe ndeshjen e parë të vitit në atë kompeticion. Duhet të përmirësohemi akoma më shumë. Trofe? Dëshira është, janë dy kompeticione ku mundemi, pasi Serinë A e ka fituar Juventusi, i cili ka ekipin më superior nga të gjithë”.