Mançester Junajtid mori një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Leisterit ditën e sotme, duke vijuar të qëndrojë në ndjekje të Çelsit, në garën për vendin e katërt, që të çon në Champions. Pas ndeshjes, siç ndodh gjithnjë, Solskjaer ka folur për mediat, por këtë herë tekniku norvegjez e kishte me nxitim.
Arsyeja ishte shumë e thjeshtë. Duhet të kapte avionin për Lion. Luhet ndeshja Olimpik Lion-PSG dhe trajnerit të Junajtid, i duhet të studiojë kundërshtarin e radhës në Champions. Pikërisht kampionët e Francës në fuqi.
Përkushtim në kufijtë e çmendurisë për trajnerin norvegjez, i cili pavarësisht se ishte në stol dhe ishte mjaft i ngarkuar ditën e sotme, ka vendosur që të jetë medoemos në Francë, për të studiuar ekipin parizien. Ndeshja e parë do të luhet me 12 shkurt në “Old Traford”.