Skënderbeu dhe Laçi, më të mirët e 2017-ës

Vladimir Prenga

Në janar thonë se nuk ka lojtarë cilësorë dhe në fakt ashtu është, por qëllon që gjithçka të ndryshojë, siç ndodhi me skuadrën e Laçit, që në gjysmën e dytë të këtij sezoni ndryshoi totalisht dhe arriti të marrë 26 pikë dhe të shpëtojë prej rënies nga kategoria. Vucaj, Mensah, Nika, Sefgjini, Jonuzi, Serxhio dhe Rajoviç, që ishte i pafat dhe e mbylli sezonin që në debutim, ishin afrimet e kurbinasve në janar dhe gjithçka ndryshoi. Laçi mori pikë të rëndësishme dhe bëri atë që shumë pak e mendonte, e mbylli para Tiranës kampionatin, edhe pse bardheblutë në dy fazat e para kishin grumbulluar 27 pikë, plot 13 më shumë se skuadra e Stavri Nicës, durrsakut që udhëhoqi kurbinasit në finish dhe grumbulloi 11 pikë në 6 ndeshje, ndërsa 15 të tjerat Laçi i mori me Bledar Sinellën në krye. Korabi ishte i pashpresë dhe me dy barazimet e marra bëri që klasikja Vllaznia-Tirana të vlente mbijetesën. Bardheblutë e Josës bënë një pjesë të dytë të sezonit katastrofike, me vetëm 12 pikë të grumbulluara, këto falë dy fitoreve tani në fund me Korabin dhe Luftëtarin. Plot pesë muaj u desh të arrihet te fitorja, por gjithçka shumëzohet me zero, pasi në fund ata e mbyllën në vendin e parafundit dhe për herë të parë në historinë e tyre janë të detyruar të luajnë në Kategorinë e Parë. Për të gjetur shkaqet e kësaj ecurie do duhet një analizë e thellë, por mungesa e një njeriu gol i penalizoi shumë bardheblutë. Kjo edhe për fajin e tyre, pasi FIFA i dënoi për të mos bërë merkato në janar dhe humbën mundësinë të afronin në ekip Elis Bakajn, i cili me golat e tij do e ndihmonte shumë Tiranën për të mos u përfshirë në atë situatë të vështirë që kaloi. Dëmtimet gjithashtu patën rolin e vet, por tashmë kjo histori është e mbyllur.

PRETENDETËT PËR TITULL – Nisja e kampionatit ishte e mirë për Skënderbeun, por dy fazat e para i mbylli në vendin e tretë. Në vitin 2017 bardhekuqtë bënë më mirë, duke qenë skuadra që kanë grumbulluar më shumë pikë, 40 të tilla, por Kukësi gjithashtu bëri mirë, duke marrë vetëm një pikë më pak, çka u mjaftoi për të fituar titullin kampion. Edhe Partizani ka bërë më mirë, duke marrë dy pikë më shumë se dy fazat e para, por rivalët kanë bërë edhe më mirë. Gjithsesi ata në fund u renditën të dytët në kampionat, ashtu si një vit më parë.

KONSTANTËT – Luftëtari dhe Flamurtari janë dy skuadrat që kanë marrë të njëjtën sasi pikësh në të dyja pjesët e sezonit. Gjirokastritët në vitin 2017 grumbulluan 22 pikë, ndërsa vlonjatët 23 pikë. Nëse nuk do të ishte për ato gjashtë pikë të hequra nga Komisioni i Disiplinës, Flamurtari do renditej i katërti dhe do ishte në pritje të finales së Kupës së Shqipërisë, për të shpresuar në pjesëmarrjen në kupat e Europës. Gjithsesi, vlonjatët në fund të sezonit morën edhe lajmin se nuk janë licencuar fare për në kupat e Europës.

TË TJERAT – Teuta ka pasur një ecuri të mirë në pjesën e dytë të sezonit, teksa trajnerit Magani iu plotësuar kërkesa e tij në merkato për të afruar një qendërmbrojtës me eksperiencë. Bojan Markoviç i ndihmoi goxha durrsakët, që arritën të grumbullonin 24 pikë në dy fazat e fundit të kampionatit. Tetë pikë më shumë dhe kishte momente që pretendohej edhe vendi i katërt, por hapi fals në shtëpi me Luftëtarin i dha drejtim tjetër objektive të “djemve të detit”. Magani në janar donte dhe një sulmues goli, por nuk e gjeti dot. U afrua Progni, i cili i dha fitoren me Vllazninë, çka vlejti mbijetesën. Lëmë Teutën dhe kalojmë te Vllaznia, e cila në pjesën e parë të sezonit grumbulloi 21 pikë, ndërkohë që bëri mirë në fazën e tretë, por në atë të fundit rezultatet ishin negative dhe kuqeblutë grumbulluan në total për këtë vit vetëm 19 pikë, që duke ua shtuar atyre të marra më parë, bënë minimumin për të siguruar mbijetesën, kuotën e 40 pikëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online