Mançester Siti po zhvillon një sezon fantastik. Djemtë e Guardiolës kanë fituar trofeun “Carabao Cup”, duke mposhtur Çelsin e Sarrit në finale dhe janë në garë për të gjithë kompeticionet ku marrin pjesë.
Të shtunën luhet ndeshje gjysmëfinale e “FA Cup” kundër Brajtonit. Takimi zhvillohet në Londër dhe klubi po has vështirësi në shitjen e biletave. Siti ka shitur 25 mijë nga 30 mijë biletat që ka në dispozicion dhe ka kthyer 2 mijë bileta që i kishte marrë ekstra nga Federata.
Këto janë më të shtrenjtat, pasi çmimi i tyre shkon në 120 sterlina. Tifozët janë ankuar dhe për orarin e ndeshjes dhe orarin e kufizuar të trenave në Londër atë ditë, që do të mundësonte rikthimin e tyre në Mançester.
Nga ana tjetër, drejtuesit e “Qytetarëve” janë befasuar nga kërkesa e Rahem Sterling. Sulmuesi ka vendosur t’u dhurojë disa momentet emocionuese 550 nxënësve të shkollës së tij të vjetër në veriun e Londrës.
Sterling do të paguajë biletat e 550 fëmijëve nga etni dhe vende të ndryshme. Ata do të jenë të pranishëm në mitikun “Wembley” për të ndjekur nga afër idhullin e tyre, ndërsa ky i fundit do të paguajë rreth 20 mijë sterlina vetëm për kënaqësinë e tyre.
“Kjo tregon edhe njëherë se çfarë djali me zemër të madhe është Rahem. U befasuam nga kërkesa e tij. Ai nuk donte që kjo gjë të bëhej publike dhe nuk dëshironte vëmendje. Donte vetëm të bënte një gjë të mirë për nxënësit e ish-shkollës së tij”, sqaron një zyrtar i klubit për “Daily Mail”.