Sistemi VAR në Superiore, Sokol Jareci zbulon planin

Kudo në botë arbitrimi ka qenë shpesh në shënjestër, madje edhe tani që në shumë kampionate po aplikohet sistemi VAR. Polemikat kanë qenë të shumta në Itali dhe Gjermani, ndërkohë që edhe Shqipëria po tenton të futet në hartën e atyre shteteve që e aplikojnë teknologjinë në futboll.

Disenjatori i arbitrave në FSHF, Sokol Jareci, ka zbuluar gjithçka: “Do fillojmë zyrtarisht nesër aplikimin në FIFA. Kemi një “video-call” me zyrtarët e IFAB, të cilët para pak ditësh na sollën përmes e-mailit kërkesat që ne duhet të plotësojmë për VAR-in. Edhe ne tashmë do të jemi pjesë e VAR-it. Besoj se nga 2021, 2022 do të fillojë aplikimi i VAR-it në kampionatin shqiptar”.

Futja e VAR në Superiore ka problematikat e veta dhe Jareci shton: Është një procedurë që shkon një vit deri në një vit e gjysmë, pasi aty futet trajnimi i stafit, i infrastrukturës, i personave dhe kompanisë që do të merret me transmetimin. Pra është një procedurë që zgjat 1 vit e gjysmë”.

Nisur nga stadiumet ku luhen ndeshjet e Superiores, është e pamundur të aplikohet sistemi VAR kudo. “Për momentin mund të jemi me një ndeshje, sikurse jemi me sistemin me 6 arbitra. VAR-i këkron infrastrukturë. Mund të jenë Arena Kombëtare, Shkodra dhe Elbasani, pra mund të jemi me një ndeshje në javë me VAR”, u shpreh Jareci në emisionin “Pressing” në ABC News.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *