Atletiko e Madridit do të presë sot Zhironën në shtëpi, ndërsa mendjen e ka të përballja e fundjavës kundër Barcelonës. Sfida e madhe zhvillohet ditën e shtunë në “Camp Nou”.
Mungesat e shumta kanë prekur ekipin “colchoneros”, ndërsa Dieogo Simeone tenton të rikuperojë Diego Kostën për sfidën me ekipin kryesues. Trajneri është shumë i lidhur me sulmuesin dhe ka besim maksimal tek ai.
“Do të përpiqemi ta kemi gati Diego Kostën për ndeshjen e fundjavës kundër Barcelonës. Dëshiroj që të vazhdojë të qëndrojë me ne edhe për sezonin tjetër. Shpresoj të ketë vazhdimësi me këtë klub. Diego ndodhet në një moshë ideale dhe unë i besoj deri në vdekje atij. Nuk është rastësi fakti që nga momenti që është kthyer, kemi fituar Ligën e Europës dhe Superkupën e Europës”, thekson Simeone.
Argjentinasi ndalet dhe te situata e Antuan Grizman. Fjalët e merkatos e lidhin francezin me një kalim te Barcelona, por Simeone nuk e beson. Grizman është një nga kapitenët e ekipit dhe do ia bënte me dija trajnerit, nëse dëshiron të transferohet tek ekipi katalanas.
“Antuan është një prej kapitenëve të ekipit. Nëse do duhet të thotë diçka, do e bëjë. Unë e shoh të përfshirë në grup dhe me dëshirën për të ndihmuar ekipin. Shpresoj që të rikthehet te goli, ka nevojë ai dhe ekipi. Kundër Alaveshit u zëmërua kur e zëvendësova. Po fitonim 0-3, por ai donte të luante akoma. Ky është qëndrimi i duhur që kërkoj nga të gjithë lojtarët”, përfundon trajneri i Atletikos së Madridit.