Është mbyllur në “paqe” kryendeshja e javës së 14-të në Serinë A. Në “Olimpico” Roma dhe Inter shënuan nga dy gola secila, në një ndeshje spektakolare. Një barazim që nuk i shkon përshtat asnjë prej skuadrave, të cilat bëjnë një hap fals.
Ndeshja nisi me dominimin e Romës, ku dhe goditën shtyllën me anë të Florencit, por ishte Inter, i cili kaloi në avantazh me anë të Keita Baldes në minutën e 37-të. 23-vjeçari përfitoi nga një krosim perfekt i D’Ambrozios dhe dërgoi në avantazh ekipin e tij.
Fraksioni i dytë i sfidës startoi menjëherë me një “bombë” nga Xhengiz Ynder. Turku lëshoi një silurë drejt portës zikaltër, ku Handanoviç mbeti i palëvizur dhe shifrat u baraspeshuan në 1-1. Gjithsesi, zikaltrit u treguan përsëri cinik dhe në minutën e 66-të morën avantazhin për herë të dytë. Ishte kapiteni Ikardi, i cili shënoi pas një goditje nga këndi, për të çuar në avantazh përsëri Interin.
Kryeqytetasit nuk hoqën dorë dhe shtatë minuta më vonë arritën të barazonin përsëri. U desh ndihma e sistemit VAR, që gjyqtari kryesor i takimit të akordonte 11-metërsh, për një prekje me dorë të Brozoviç. Nga pika e bardhë ishte Aleksandër Kolarov, i cili u tregua i saktë përballë Handanoviç.
Të dyja ekipet e ndjenë lodhjen në minutat e fundit dhe çdo gjë u nda në barazim 2-2. Barazim që kënaq më shumë rivalët, se sa Romën dhe Interin. Verdhekuqtë do të udhëtojnë për të luajtur me Kaljarin javën e ardhshme, ndërsa zikaltrit do të luajnë derbin e Italisë ndaj Juventusit në transfertë.