Gjykata Sportive nuk pyeti fare për apelimin e Napolit dhe la në fuqi dënimin prej dy ndeshjesh për Kalidu Kulibali. Mbrojtësi senegalez, i cili ra pre e koreve raciste nga ana e tifozëve zikaltër, u ndëshkua me të kuqe në ndeshjen kundër Interit, ndërsa ironizoi me arbitrin e ndeshjes duke duartrokitur vendimin e tij.
Dy ndeshje pezullim, njëra u shlye kundër Bolonjës, por Napoli shpresonte ta kishte të gatshëm për ndeshjen me Lacion. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe Kulibali do të mungojë përballë formacionit të Inzagit.
Vendimi nuk i ka pëlqyer Napolit dhe Aurelio De Laurentis nuk përmbahet. Presidenti i Napolit sulmon sistemi, i vjen turp dhe ndihet keq për mbrojtësin e tij dhe kërcënon me largim, nëse Federata nuk nis e tregohet e ashpër për zgjidhjen e çështjes së racizmit.
“Edhe një herë sistemi, i kuptuar si një organizatë, tregoi se nuk di të ndryshojë, duke dënuar viktimën. Më vjen turp që jam pjesë e këtij sistemi nga i cili do të dal shpejt, nëse Federata nuk do të përdorë grushtin e hekurt kundër racizmit. Kulibali u poshtërua më shumë nga kjo çështje. Ndihem i ofenduar për të. Gjykata e Apelit preferoi të zbatonte ligjet, kur duhet t’i interpretonte ato. Ky vendim është një demonstrim i mëtejshëm i papjekurisë dhe verbërisë.”
“Çfarë do të kisha ndryshuar? Nuk do e tërhiqja ekipin në ndeshjen kundër Interit. I njoh dobësitë e futbollit tonë dhe kam pranuar të luaj me këto rregulla, edhe pse janë të gabuara. Por kjo nuk më pengon të luftoj që këto rregulla të bëhen moderne.”