Shkurtaj: Luftëtari qëndron në elitë, nuk jam unë “ylli”

Vasil Shkurtaj ka shkuar në kuotën e pesë golave pas atyre që i shënoi një ditë me parë Kastriotit. Sulmuesi i Luftëtarit e ka nisur mirë kampionatin dhe i duhet vetëm një gol për të barazuar numrin e rrjetave të tundura një sezon më parë.

Pas ndeshjes, për “Supersport” dhe mediat e tjera, Shkurtaj foli për takimin me krutanët dhe të radhës me Laçin.  “Ishte shumë e rëndësishme kjo fitore, kundër një ekipi shumë të vështirë që luajti shumë fort nga minutat e para dhe m’u duk se ishte nga ekipet e para që na vendosën në vështirë. Kjo fitore na jep shpresa për të shkuar më lart”, tha sulmuesi.

Më pas dy fjalë për kurbinasit, kundërshtarin e radhës: “Tani kemi një ndeshje shumë të rëndësishme me Laçin në Gjirokastër dhe shpresojmë të marrim edhe atje një rezultat të mirë”. Vjet Shkurtaj luajti vetëm në pjesën e dytë të sezonit, pasi kishte probleme me dokumentacionin në fillim.

Gjithashtu edhe dëmtimet nuk e kanë lënë të qetë. “Sezonin që kaloi kisha gjysmë viti pa luajtur dhe pastaj u dëmtova. Nuk ishte moment i mirë për mua. Këtë sezon nga fillimi po ndihem mirë, po më ndihmon ekipi dhe kam pasur raste”, shtoi Shkurtaj.

Ai nuk pranon ta konsiderojnë yllin e ekipit, apo një pasues të Bregut e Abazajt. “Jo, jo, nuk jam unë ylli. Unë bëj punën time dhe puna ime është të bëj gola. Nuk jam vetëm, jam bashkë me lojtarët e tjerë të skuadrës”, shprehet sulmuesi vlonjate, i cili shpreson që Luftëtari të ngjitet lart në renditje.

“Ku mund të shkojë ky Luftëtar, a mund të ngjitet më lart? Patjetër shpresojmë që të shkojmë sa më lart. Nuk mendoj se mund të bjerë ky ekip nga kategoria. Besoj se kemi një ekip shumë të mirë, që duhet të jetë lart në renditje”, përfundoi Vasil Shkurtaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online