Shkëmbi pa pengje: S’e keni parë akoma Teutën!

Bledi Shkëmbi mori këtë verë drejtimin e Teutës dhe në dy ndeshjet e para ka marrë dy pikë. Ka munguar finalizimi, pasi rastet i kanë krijuar. Gjithsesi korçari thekson se edhe ky problem do të zgjidhet me stërvitje, mjafton të mos ketë presion psikologjik.

Për të kjo është shumë e rëndësishme, sikurse edhe u shpreh pas ndeshjes me Tiranën për mediat e interesuara. Shkëmbi foli edhe për objektivat, analizoi takimin me bardheblutë, merkaton por edhe çështje të tjera.

Profesor, barazim, por mund edhe të fitonit po ta kishte dërguar në rrjetë atë top Latif…
Është e vërtetë, por në futboll kështu është. Unë mendoj se rezultati në fund gjithmonë është i drejtë. Jam me këmbë në tokë, pasi pavarësisht se krijuam një lojë të mirë dhe kishim atë rast të pastër për ta bërë rezultatin 0-1, edhe Tirana pati një moment një rast. Në futboll kështu është, nëse nuk shënon edhe mund ta pësosh. E rëndësishme është që erdhëm për të luajtur një futboll të mirë, për ta fituar ndeshjen. Luajtëm gjithë kohën për të fituar, por futbolli kështu është, përfundon edhe 0-0.

Sikur u tërhoqët pak në 45 minutat e dyta…
Është e vërtetë, fillimi i pjesës së dytë, në 15-20 minutat e para e vuajtëm atë presionin e Tiranës. Më pas nisëm të zgjoheshim. Nuk ishte taktikë, por ndoshta ishte meritë e Tiranës që na vuri në vështirësi.

Dy ndeshje pa gol, mungon finalizimi dhe lojtarët këtë nisin ta vuajnë nga ana psikologjike. Çfarë mund të bëni për të gjetur rrugën e rrjetës?
Është e vërtetë. Kryesorja për mua, për stafin dhe lojtarët, është që nga ana psikologjike nuk duhet të vuajmë. Pastaj mendoj se gjithçka zgjidhet me stërvitje dhe ne do të punojmë aty ku e shikojmë ku kemi më shumë probleme. Nuk është vetëm finalizimi, por edhe disa probleme të tjera.

Mungesa e finalizimit, pse vjen? Presioni, nxitimi…
Mendoj se janë të gjitha bashkë. Por ndoshta edhe nga nxitimi, edhe nga dëshira e madhe. E thashë që do mundohemi që futbollistët t’i mbajmë larg këtij presioni dhe të punojmë sa më shumë.

Merkato…
Kjo është merkato. Nuk kam ndonjë peng nga merkato. Kemi marrë gjithë lojtarët që ne dëshironim. Besoj që këtë po e tregojmë edhe në ndeshjet që po bëjmë, veç pjesës së shënimit.

Ju mbetet peng rasti i Latif, apo dy traversat?
Unë jam mësuar që në futboll nuk ka pengje, në futboll kur mbaron loja duhet të mendosh për javën tjetër. Kjo sepse nëse qëndron me pengje nga ndeshja në ndeshje, vazhdon të bësh gabime. Kryesorja është që të mos kemi pengje, të mos kemi presion psikologjik dhe të jemi “OK” për ndeshjen e radhës.

A është Teuta në maksimumin e vet? Ndalët Tiranën, nuk pësuat…
Në fakt ne nuk kishim ardhur të ndalnim Tiranën, erdhëm ta mundim Tiranën, pavarësisht se ndeshja shkoi barazim. Mendoj se nuk është ky maksimumi, në vijim do jetë një Teutë më e fortë.

Çfarë do donte të dëgjonte Shkëmbi pas 36 javësh kampionat? Objektivi…
Objektivi ynë është të arrijmë kupat e Europës. Nëse dëgjojmë këtë do të jemi “OK”.

A ka presion për këtë objektiv?
Jo, fare. Nuk ka presion, as nga klubi, as nga presidenti. Vetë stafi, lojtarët, nuk kemi presion. Por normal që do e quaja në thonjëza, që kur ka objektiv ka pak presion për të arritur rezultatin. Kjo është, presion të jashtëm nuk ka.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online