Bledi Shkëmbi, trajneri i Teutës, foli pas humbjes 5-0 që durrsakët pësuan me kurbinasit. Në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ai deklaroi: “U bë e disata ndeshje që nuk shkon asgjë mirë. Sot ishte mesa duket ajo finalja e së keqes. Është një situatë jo e mirë e jona, që nuk e kishim menduar. Na bën të reflektojmë, nga unë i pari.
Patëm mundësi të shënonim, por përsërisim gabimet e së shkuarës. Është një problem psikologjik që nuk po e gjejmë dot. Është edhe dobësi e imja që nuk po i motivoj dot pas momenteve të tilla”.
“Jemi të njëjtët, por ky moment jo i mirë po zgjat shumë. Ishte shpërfytyrim, pasi atij shpërfytyrimi në pjesën e dytë me Kukësin. Do flasim me klubin, duhet të ndryshojë diçka. Ekipi ka një ngërç psikologjik. Stadi ka për detyrë t’i qetësojë. E shikoj që nuk po e bëjmë. Do vendosim sot dhe nesër e të bëjmë atë që është më e mira për klubin”.
“E keni skuadrën me vete? Mendoj që lojtarët, ata me eksperiencë, patjetër më ndjekin. Pjesa jashtë fushe është Ok. Disa nuk po kalojnë një moment të mirë, por nuk flas për tradhti. Nuk ua hedh atyre fajin. Normal duhet të bëjnë më shumë, por ekipi ka 20 lojtarë. Të gjithë duhet të japin maksimumin. Edhe ne si staf mund të kemi defektet tona. Nuk kemi gjetur mënyrën ta bëjmë të vazhdojë me të njëjtat rezultate”.
“Ky klub më ka hapur dyert dhe më ka dhënë mundësinë të drejtoj një ekip me lojtarë të mirë. Është një moment për të marrë përgjegjësi, nuk fshihem. Është shtëpia ime ky klub. Do mundohemi të marrim vendimin më të mirë”.
“Osmani ishte e pamundur të luante. Ndeshjet janë shumë afër, mendojmë që edhe energjitë t’i shpërndajmë pak. Nuk jam mësuar të heq dorë, por ndonjëherë duhet hequr kur duhet më e mira për një klub që është më i madh se emri im”.