Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, u shpreh mjaft i gëzuar pas fitores së skuadrës së tij kundër Kukësit. Në intervistën për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, tekniku korçar foli për ndeshjen që i dha trepikëshin e parë për vitin 2019.
NDESHJA DHE PROGNI– “Fituam një ndeshje të vështirë, një ndeshje e bukur do të thosha për meritë të dy skuadrave. Por e përsëris që objektivi ynë është i njëjtë, Europa, dhe duhet të marrim sa më shumë pikë në javët e mbetura.
Bëra një lëvizje me Prognin, që deri diku bëri mirë. Mendova t’i japim më shumë vertikalizime ekipit me Prognin. Ai po kalon një formë shumë të mirë dhe na e shpërbleu dhe me atë gol.
“Kemi dy ekspertë në goditje standarte. Osmani, Arapi, Bici dhe shumë të tjerë kanë eksperiencë të madhe dhe mua më ndihmojnë shumë, pasi unë jam një trajner i ri dhe i kam krah. Dy krahët e mbrojtjes duhet të ishin më të kujdesshëm dhe në ekuilibër, duke parë dhe dy kundërshtarët. Për fat të mirë, çdo gjë shkoi mirë dhe nuk diskutohet që kjo fitore është vetëm për meritë të lojtarëve”.
Kartoni i kuq? – “Zgjidhja më e mirë që mund të bëjë një lojtar me eksperiencë si Osmani”.
REPARTI OFENSIV – “Jam shumë dakord që te 30 metrat e fundit kemi probleme dhe do të kemi gjithmonë. Aty duhen shumë cilësi. Duhet të përmirësohemi edhe më shumë. Sa i takon pjesës së parë, jemi të vetmit që krijojmë baza të forta për një të ardhme të mirë, sidomos për sezonin e ardhshëm. Ky ka qenë dhe objektivi im primar. Duhet të arrijmë sukses këtë vit dhe të shohim me optimizëm sezonin e ardhshëm”.
“Agresiviteti e bën skuadrën të luajë më mirë ,të ketë besim dhe nuk diskutohet që mua më pëlqeu shumë skuadra. Nuk dua të harroj pjesën e parë, pasi bëmë shumë mirë dhe shkuam me logjikë deri te porta e kundërshtarit. Dua të komplimentoi të gjithë futbollistët për besimin dhe të gjithë bashkë, duke futur dhe presidentët, kemi ruajtur qetësinë dhe kemi pasur besimin që mund të ecim përpara. Një fitore nuk sjell asgjë dhe rruga është e gjatë. Nuk kemi ndryshuar ndonjë gjë nga javët e kaluara. Barazimi me Kamzën ishte një ndeshje shumë e mirë, të paktën kështu them unë, pavarësisht që nuk fituam. Kur ke kundërshtarë të fortë, skuadra është më e motivuar dhe është më e lehtë të arrish te fitorja. Frashëri ka qenë një nga lojtarët më të mirë dhe bëri atë që unë i kërkova. Jam i bindur që do të rikthehet ai që ka qenë”,- u shpreh Shkëmbi.