Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi ka folur para ndeshjes në transfertë kundër Laçit, ku pranoi se do të jetë një sfidë shumë e vështirë. Pavarësisht se Teuta nuk po kalon një moment të mirë, Shkëmbi është i bindur se objektivi Europë është shumë pranë. Për RTSH Sport, Shkëmbi tha:
“Nuk është diçka e mirë skualifikimi në Kupë, por do të vazhojmë në kampionat dhe të arrijmë objektivin Europë nga kampionati. Nuk bëmë një ndeshje të mirë, ndoshta në pjesën e parë deri diku provuam, por në pjesën e dytë ishim shuëm dobët. Nuk ishim përgatitur për të luajtur ashtu.
Normal që çdo humbje ndikon, por shpresojmë që të flasim me ekipin, me lojtarët dhe të jemi sa më mirë nga ana psikologjike dhe ajo fizike. Laçi është gjithmonë një skuadër e vështirë, jo vetëm në fushën e vetë. Kanë lojtarë të rinj dhe me ego, që luftojnë shumë. Do të jenë një rival shumë i vështirë.
Europa është pranë, sepse po mbaron faza e tretë dhe ne jemi në vendin e tretë, 2 pikë larg vendit të dytë dhe 5 pikë larg ndjekësve. Dua të them që e kemi pranë Europën, por ka dhe shumë ndeshje dhe duhet të jemi të përqendruar në maksimum”, tha Shkëmbi.