Një jetë e kaluar si lojtar me Tiranën. Katër tituj të fituar si futbollist në 11 sezone, por edhe një karrierë e shkëlqyer me ngjyrat bardheblu si drejtues, ku ka fituar edhe tetë tituj kampionë. Shkëlqim Muça ka qenë gjithmonë një prej personazheve me të cilët identifikohej derbi i zjarrtë i kryeqytetit. Aq më tepër, që prej disa vitesh është emëruar edhe shefi i klubit Partizani për shumësportëshin. Njeriu që i njeh shumë mirë të dy kampet, analizoi duelin e së premtes.
“Nuk është më ai zjarri i viteve të mëparshme, pasi skuadrat kanë patur disa oshilacione, Partizani dhe Tirana kanë rënë nga kategoria, duke ndjekur njëra-tjetrën. Megjithatë, derbi është ndër të vetmet ndeshje ku stadiumi mbushet edhe krijohet atmosferë e bukur”, tha Muça në programin “Procesi Sportiv” në Top Channel.
Përsa i takon pritshmërive të kryendeshjes së javës së gjashtë, 58-vjeçari tha: “Presim të jetë një atmosferë e bukur sportive, sepse në këto javët e para stadiumet nuk kanë qenë plot. Do të jetë ndeshja e parë, ku do të ketë atmosferë dhe shpresojmë që të mos ketë probleme”.
Më tej edhe një prapaskenë nga e kaluara si lojtar në radhët e bardhebluve, duke rrëfyer si e përjetonin 24 herë kampionët e Shqipërisë atmosferën e derbit në vitet e kaluara. “Trajneri Frashëri, kur vinte sfida me Partizanin na thoshte: Kjo nuk është ndeshje, është luftë…”, tregoi Muça.