Milot Rashica po përjeton një formë mjaft të mirë në Bundesligë dhe paraqitjet e bëra së fundmi e kanë përfshirë në listën e të nominuarve për lojtarin më të mirë të muajit mars (Kliko KËTU). Anësori nga Vushtrria rivalizon me emra si Robert Levanovksi, Hames Rodrigez, Filip Kostiç, Marsel Halstenberg dhe shokun e tij të skuadrës, Maks Kruz.
Rashica gjatë muajit mars ia ka dalë të shënojë plot gjashtë gola, ndërkohë që ka tentuar 12 herë të gjejë rrugën e rrjetës. Anësori numëron edhe një asist. Shifrat më të mira nuk i ka futbollisti dardan, pasi Maks Kruz për shembull ka bërë më mirë te Verderi: 6 gola, 16 gjuajtje në portë dhe tre asiste.
Levandoski është lojtari me shifrat më të frikshme: 6 gola, 28 gjuajtje në portë dhe 9 shanse të krijuara prej tij. Hames Rodrigez, kolumbiani i Bajernit, ka shënuar 4 gola, ka goditur 10 herë në kuadrat dhe ka dhënë një asist. Një muaj shumë i mirë edhe për Filip Kostiç: 3 gola, 12 gjuajtje në kuadrat dhe 2 asiste.
Marsel Halstenberg është nga ata lojtarë që nuk bie në sy për golat e shënuar. Është mesfushor dhe normalisht ka të tjera detyra. Futbollisti i Lajpzig ka krijuar 10 shanse për skuadrën e tij, ka goditur 4 herë kuadratin dhe ka pasur një përqindje të mirë të pasave të sakta, konkretisht 78.3% të tyre.