Shehi: Ne nuk luajmë për të prishur punë, dëmtimet na penalizuan

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi ka folur pas humbjes kundër Partizanit për “Supersport”, ku pranoi se dëmtimet e kanë penalizuar skuadrën e tij. Gjithashtu, Shehi refuzoi të gjitha zërat që e konsideronin Skënderbeun si një skuadër për të prishur punë.

Ndeshja – Tani, për sa i përket lojës, ne u munduam të mos dalim nga loja jonë, pavarësisht terrenit. E nisëm mirë dhe u ndëshkuam nga një moment ku nuk e meritonim. Por merita ka kundërshtari për realizimin e golit. E nisëm ndeshjen në disavantazh dhe kjo ishte diçka shumë e keqe për ne. Gjithsesi, ne do të vazhdojmë punën.

Taipi – “Taipi ka vetëm 4 ditë me skuadrën, luajti në Kupë. U nisa nga paraqitja e Gexh në Kupë dhe me Teutën, prandaj e aktivizova para Taipit. Megjithatë, Gexh nuk funksionoi dhe aktivizova Taipin. Më pëlqeu shumë dhe është një lojtar që premton.

Mungesat – “Realisht, kemi provuar shumë. Kemi futur Pëllumbin nga e djathta, pastaj nga e majta. Nuk kemi pasur bollëk zgjedhjesh, edhe Krasniqin kam menduar ta aktivizoj apo jo. Jemi munduar të aktivizojmë lojtarët më të mirë në këtë fushë, por dëmtimet na penalizuan”.

Lëvizjet në fushë – “Është e drejtë. Filluam të ndryshojmë pozicionet në fushë, duke parë aftësitë e lojtarëve. Gjithsesi, gjërat nuk funksionuan dhe pavarësisht ndërrimeve, loja nuk u përmirësua. Të gjitha zëvendësimet ishin të detyruara. Shpresoj të ndryshojmë me njerëz në fushë, për të marrë rezultatet që na duhen me doemos”.

Krasniqi – “Krasniqi është lojtari jonë kryesor, por nuk është në formë optimale. Një ditë ka që bën stërvitje dhe me aktivizimin e tij, rrezikuam shumë. Por shpresoj të rikthehet në formë optimale sa më shpejt, pasi ai është pika jonë e referimit”.

Humbja e pestë radhazi – “Unë e kam thënë dhe dje në konferencë që nuk dua të komentoj thashethemet e kafeneve. Ne luajmë për veten tonë dhe nuk duam t’i prishim punë skuadrave të tjera. Për pesë humbjet radhazi, nuk kemi asnjë lidhje me Dinamon e para disa sezoneve, pasi ata ishin të mbushur me yje. Ne kemi çuna që derdhin djers, por nuk janë në nivelin e asaj Dinamoje që ra”,- përfundoi Shehi.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *